Kurti në Londër kërkon njohjen nga Serbia, s’heq dorë prej reciprocitetit

Prishtinë | 25 Shk 2020 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ajo e Serbisë, Ana Bërnabiq, janë ballafaquar për herë të parë gjatë ditës së djeshme në Samitin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe për Zhvillim (BERZH), të mbajtur në Londër.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar nga homologia e tij serbe Ana Bërnabiq njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërkohë derisa Bërnabiq ka bërë thirrje që të hiqet taksa ndaj produkteve serbe, Kurti në Samitin e Londrës ka pohuar sërish se Qeveria do ta vendosë masën e reciprocitetit në vend të tarifës 100 për qind, shkruan sot gazeta Zëri.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ajo e Serbisë, Ana Bërnabiq, janë ballafaquar për herë të parë gjatë ditës së djeshme në Samitin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe për Zhvillim (BERZH), të mbajtur në Londër. Gjatë fjalimeve dhe diskutimeve që kanë pasur Kurti e Bërnabiq nuk u kanë shpëtuar përplasjeve. Derisa kryeministrja e Serbisë ka kërkuar heqjen e taksës, Kurti ka ritheksuar se Qeveria do ta zëvendësojë tarifën me masën e reciprocitetit. Pos kësaj, shefi i Qeverisë së Kosovës i ka kërkuar Ana Bërnabiqit që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ndërkohë, kësaj nikoqirët e Samitit u kujdesën që ulëset e Kurtit dhe Bërnabiqit të caktoheshin afër njëra-tjetrës. Dy kryeministrat u panë afër njëri-tjetrit edhe në disa fotografi të publikuara nga kryesues të BERZH-it. Por në një fotografi tjetër të bërë publike nga vetë Ana Bërnabiq shihet që kryeministrja serbe e ka larguar nga kuadri Kurtin. Sidoqoftë, meqë Samiti i Londrës ka për qëllim investimet për Ballkanin Perëndimor nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Kurti ka kërkuar dje investime nga BERZH-i dhe bashkëpunim të saj me qeverinë e re të Kosovës. Kurse Bërnabiq ka konsideruar se bashkëpunimi rajonal mbetet prioritet dhe faktor kyq për zhvillimin ekonomik.

BERZH-i: Bota do që Ballkani Perëndimor të ketë sukses

Në Samitin e djeshëm, të mbajtur në Londër, morën pjesë gjashtë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. BERZH-i bëri të ditur se gjatë këtij viti planifikon t’i investojë një miliard euro për këtë rajon.

Derisa foli rreth këtij organizimi kryetari i BERZH-it, Suma Chakrabarti, tha se është krenar për organizimin e samitit të IV për investime në Ballkan. “E gjithë bota dëshiron që Ballkani Perëndimor të ketë sukses. Shumë krenarë që e kemi pritur atë që është tani Samiti ynë i IV i Investimeve në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme