Kurti nuk e përfill ultimatumin e Mustafës, relaksohet me aktivistë në Pejë

Prishtinë | 26 Jan 2020 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti e ka ditën e sotme afatin e fundit për të vendosur për ofertën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të arritur marrëveshje për koalicion qeverisës apo jo.

Mirëpo, ai duket se nuk e ka fort këtë hall të ultimatumit të Mustafës, pasi në vend se të takohej me krerët e LDK-së për të diskutuar rreth arritjes së marrëveshjes, Kurti ka zgjedhur të pijë kafe me aktivistë të Vetëvendosjes në Pejë, shkruan Insajderi.

Në një fotografi që e ka postuar ish kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Pejës, Bashkim Nurboja, shihen kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti, kryetari i Kuvendit po nga kjo parti, Glauk Konjufca dhe aktivistë tjerë duke pirë kafe në Pejë.

Surboja në fotografinë e publikuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se takimi ishte i rastësishëm.

“E rastësishme”, ka shkruar shkurt Nurboja.

Një përpjekje për ta bindur Mustafën për të arritur koalicion qeverisës, kryetari i Vetëvendosjes e ka bërë edhe gjatë të premtes në mbrëmje.

Albin Kurti, i ka shkuar në shtëpi Isa Mustafës në Prapashticë, të cilën dikur e quante ranç, ku kanë negociuar mundësitë për të dal nga ngërçi politik, shkruan Gazeta Insajderi.

Burime të Gazetës Insajderit brenda procesit kanë treguar se negociatat kanë qenë të vështira dhe nuk është arritur marrëveshje.

Vite më parë Vetëvendosje kishte protestuar tek shtëpia e Mustafës në Prapashticë duke kërkuar që Mustafa mos t’i falë territor Serbisë me anë të nënshkrimit për marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe por t’ia falë “rançin” e tij. Mustafa e kishte akuzuar Kurtin se ia ka sulmuar shtëpinë ku i kishte nipat dhe mbesat.

Të ngjashme