Kurti: PDK e LDK t`i propozojnë tre emra unifikues, ne i mbështesim

Prishtinë | 25 Pri 2026 | 16:07 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit dhe njëherësh lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se pret nga dy partitë opozitare, PDK dhe LDK, që të nxjerrin tre emra jashtë skenës aktuale politike për president, të cilëve u ka premtuar nënshkrimet e partisë së tij.

Ai ka thënë se PDK dhe LDK janë dy parti më të vjetra dhe mund t’i njohin figurat seniore në shoqëri më mirë se VV.

“Figurat seniore në shoqërinë kosovare ata i njohin edhe më mirë se ne. Prandaj, ka shumë profesorë në universitete, ka shumë njerëz të cilët kanë kontribuuar e kontribuojnë, të cilët kanë sakrifikuar për vendin tonë dhe s’mund të na thonë se dy partitë më të vjetra nuk mund të vijnë me tre emra”, tha Kurti për media pas një ceremonie për rrugën Korishë-Kabash.

Ai ka thënë se dy kandidatët e LVV-së, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha Kollçaku do të tërhiqeshin nga kandidatura, menjëherë pasi opozita të japë tre propozimet e saj.

 “Pra VV, PDK dhe LDK mund t’ia sigurojnë nënshkrimet tre kandidatëve. Ne po themi në mesin e këtyre tre kandidatëve asnjëri të mos jetë propozim i Vetëvendosjes, le të jenë tri personalitete unifikuese të dy partive të cilat janë më të vjetra se ne dhe në këtë mënyrë ta zhbllokojmë situatën dhe të kemi stabilitet institucional. Meqenëse edhe një palë zgjedhje të reja nuk sjellin zgjidhje. Edhe një palë zgjedhje të reja na humbin së paku 10 milionë euro për organizimin e tyre dhe dhjetëra miliona të tjerë që do të ishin financim nga bashkësia ndërkombëtare”, shtoi Kurti.

Të ngjashme