Kurti për deklaratën e Lajçak: Nëse Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës, paskemi humbur kohë

Prishtinë | 23 Dhj 2023 | 14:00 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, i pyetur në lidhje me deklaratën e emisarit Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se çështja e Asociacionit është çështje e brendshme e Kosovës dhe se për këtë s’nevojitet nënshkrimi i Serbisë, ka thënë se në bazë të kësaj deklarate i bije që Kosova ka humbur kohë sa herë është ngritur Asociacioni në tryezën e dialogut në Bruksel, raporton Ekonomia Online.

Kurti ka thënë se kur çështja e Asociacionit ngritej si temë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, ajo konsiderohej legjitime nga ndërmjetësuesit.

Kurti ka theksuar se nuk ka thënë se do ta shkruaj Asociacionin.

“Në bisedimet e Brukselit vazhdimisht është thënë që për një draft-statut duhet të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi dhe është sjellë në tryezën e dialogut. Më 2 maj kam dëgjuar me durim ish-deputeten e SNS-së, Daniela Vujeçiq, udhëheqëse e të ashtuquajturit Ekip Menaxhues, duke e laboruar gjysmë ore se si duhet të duket Republika Serbe në Kosovë. Ka pas shumë trysni mbi qeverinë që edhe ne të propozojmë një draft, ndërsa drafti i saj s’ishte zhvlerësuar nga ndërmjetësi”.

“Paraprakisht kur ngritej nga presidenti i Serbisë çështja e Asociacionit dhe një gjë e tillë, një ngritje e tillë e temës konsiderohej legjitime nga ndërmjetësit unë pata ofruar më 18 mars, që në tri parime, të paraqesin principet mbi të cilit unë nënshkruaj draftin. Patën thënë se është e papranueshme për Serbinë dhe rrjedhimisht çështja pat ngecur”.

“Dhe tash nëse draft-statuti i asociacionit prej ndërmjetësit thuhet se është një çështje e brendshme e Kosovës ky është regjistër tjetër i gjërave. Me fjalë tjera, ne paskemi humbur kohë sa herë është ngritur Asociacioni në tryezën e dialogut në Bruksel. Por, unë s’e kam ngritur asnjëherë, tjetërkush e ka bërë atë. Kjo i bie që koha në Bruksel për draftin për Asociacionin gjatë këtyre dy viteve paska qenë e panevojshme si temë, rrjedhimisht e humbur si kohë. Kjo është arsyeja pse thashë që nëse është një çështje ekskluzivisht e Kosovës, plotësisht dakord, atëherë Kosova për çështje të brendshme jo vetëm që ka Qeveri, por edhe ministra përkatës. Unë s’kam thënë se do ta shkruaj, por kam thënë se mund ta shkruaj draftin dhe kam treguar se cilët janë ministrat e mi se kush janë ata”, tha ai.

Të ngjashme