Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se duhet pasur durim edhe 24 orë për të kuptuar se çfarë do të mund të presin nga ndihmës Sekretari i ri i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.
Ai ka premtuar se edhe me Kasanof do të vazhdojnë bashkëpunimin ashtu sikur me ish-zëvendësndihmës sekretarin për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Do ta mirëpresim zyrtarin e lartë të State Departmentit amerikan nesër këtu në Prishtinë. Do të zhvillojmë takim me të. Dhe, ju e dini që ai është në vend të ish-zyrtarit të lartë i cili ka qenë shumë herë në Kosovë, zotit Gabriel Escobar dhe tash edhe me Alexander Kasanof besoj që do ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë. Se çfarë do të mund të presim prej tij, besoj që duhet të kemi një durim prej 24 orësh”, ka deklaruar kryeministri Kurti.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Aleksander Kasanof, të enjten do të vizitojë Kosovën ku do të takohet me zyrtarë të Qeverisë, liderë të opozitës, shoqërinë civile dhe bizneset.
Kjo është vizita e parë e Kasanofit në rajon në cilësinë e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor.