Kurti shpërfill thirrjet e “Guxo” për ministrin e Shëndetësisë, dështon sërish Haxhi Avdyli

Prishtinë | 26 Dhj 2022 | 13:53 | Nga Ekonomia Online

Arben Vitia është emëruar sot Ministër i Shëndetësisë nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, 79 ditë pasi ish-ministri Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Brenda këtyre shtatëdhjetë e nëntë ditëve Lista Guxo kishte propozuar që Haxhi Avdyli të emërohej në këtë pozitë.

I pari nga kjo parti që kishte kërkuar që Ministria e Shëndetësisë ti takoj Listës Guxo ishte Burim Meta. Këtë deklaratë ai e kishte bërë pas dorëheqjes së Rifat Latifit.

“Edhe sa ministra të Shëndetësisë duhet të ndërrohen që ky pozicion në fund t’i takojë Guxo-s?”, kishte shkruar Meta në Facebook.

Kurse, kryetarja e Listës Guxo dhe njëherësh Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla kishte propozuar Haxhi Avdylin për Ministër të Shëndetësisë.

“Unë mendoj që Partia Guxo ka një kandidat të shkëlqyer, mendoj që deputeti Haxhi Avdyli jo vetëm që do ti shërbente këtij institucioni…Nëse kryeministri Kurti do të jetë dakord, unë do t’ia bëjë këtë propozim. Prandaj shprehjet e mendimit individual të deputetëve janë shumë të mirë se ardhura. Unë mendoj që Burim Meta e ka pasur në mendje Haxhi Avdylin. Mua, Haxhi Avdyli më duket se është kandidati më i mirë i mundshëm”, kishte deklaruar kryediplomatja Gërvalla.

Këto deklarata e para e MPJD-së i ka përsëritur edhe të enjten e javës së kaluar. Gërvalla në “Kallxo Përnime” ka thënë se bashkëpartiaku i saj, deputeti Haxhi Avdyli, është personi më i përshtatshëm për këtë pozitë.

“Nuk është e habitshme që neve na duket që anëtari i partisë tonë i cili është në fushën e shëndetësisë me dekada është një personalitet i respektuar, deputet, nuk është çudi që na duket me i mirë sesa disa të tjera. Vendimin për ministrin e ri të Shëndetësisë e merr natyrisht kryeministri, Qeveria, nuk e merr partia Guxo . Po t’më pyesni mua do të thoja që jemi munduar mjaftueshëm, po kërkojmë një zgjidhje jo të mirë, jo shumë të mirë, por një zgjidhje ekselente, dhe nganjëherë zgjidhjet e tilla kërkojnë kohë”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, kryetari tjetër i partisë, Faton Peci, kishte konfirmuar se çështja është diskutuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

“Në komunikime që kemi pas me kryeministrin dhe LVV-në, kemi shpreh një interesim për shkak se e vlerësojmë figurën dhe personalitetin, mbi të gjitha, pasionin që ka Haxhi Avdyli për detyrën ekzekutive”, kishte thënë ai.

Të ngjashme