Kurti takon ambasadorin australian, diskutojnë për raportet Kosovë-Serbi

Prishtinë | 06 Qer 2023 | 17:35 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka takuar ambasadorin e ri joresident të Australisë për Kosovë, Richard Rodgers.

Ata kanë diskutuar për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me theks te Marrëveshja Bazike e dakorduar me 27 shkurt dhe Aneksi i saj me 18 mars.

“Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti tha se ajo duhet të zbatohet e plotë, shpejt dhe pa kushtëzime”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Kurti e ka falënderuar Rodgersin për ndihmën dhe mbështetjen që Australia ia ka dhënë Kosovës përgjatë gjithë viteve.

“Ai tha se Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për kontributin e Australisë për pranimin e 4000 refugjatëve në vitin 1999 dhe për përkrahjen e pandërprerë në fuqizimin e subjektivitet ndërkombëtar të Republikës së Kosovës përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Australia ishte shteti i 8-të që e njohu pavarësinë e Kosovës, vetëm një ditë pas shpalljes së saj”, thuhet tutje në njoftim.

Rodgers u takua edhe me presidenten Vjosa Osmani më herët.

Të ngjashme