Kurti takon një deputet bullgar, e njofton “me arritjet e qeverisë”

Prishtinë | 16 Mar 2023 | 18:31 | Nga Ekonomia Online

Gjatë qëndrimit dyditor në Strasbourg, kryeministri Albin Kurti, u takua me eurodeputetin nga Bullgaria, Andrey Kovatchev, nga grupi i Partisë Popullore Evropiane (EPP).

Sipas njoftimit të ZKM-së, në takimin kur merrnin pjesë dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, u diskutua mbi reformat e ndërmarra nga Qeveria dhe progresi i shënuar, rrugëtimin evropian dhe procesin e dialogut.

Kryeministri Kurti thuhet se e njoftoi eurodeputetin Kovatchev “me arritjet kryesore të qeverisë, e cila javën tjetër mbush plot dy vjet, duke veçuar sukseset në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit të reflektuara dhe në raportet e rankimet ndërkombëtare”.

“U fol edhe për takimin e radhës të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në ndërmjetësimin e BE-së që do të mbahet me 18 mars në Ohër, dhe për pritjet nga ai takim”.

Sipas njoftimit, Kovatchev theksoi se heqja e regjimit të vizave për Kosovën duhet të vazhdojë pa vonesa, teksa kanë mbetur edhe pak hapa deri në përfundimin e këtij procesi.

“Ai po ashtu dha mbështetjen e tij të plotë për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, pëfundon njoftimi.

Të ngjashme