Kusari: Liria e medias në Kosovë ka shënuar rënie, ndikuan ligji për KPM-në dhe sulmet ndaj gazetarëve

Prishtinë | 24 Kor 2026 | 10:06 | Nga Ekonomia Online

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka publikuar të gjeturat e një delegacioni ndërkombëtar për gjendjen e lirisë së medias në Kosovë, duke theksuar se vendi ka hyrë në një periudhë të qartë të rënies së lirisë së medias, pavarësisht disa zhvillimeve pozitive në sektor.

Sipas Kusarit, raporti vlerëson se Kosova vazhdon të ketë një peizazh mediatik pluralist, nivele të ulëta të dhunës fizike ndaj gazetarëve dhe një kornizë legjislative të harmonizuar në masë të madhe me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

Megjithatë, ajo thekson se këta faktorë nuk kanë mjaftuar për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes së lirisë së medias.

“Delegacioni arrin në përfundimin se, ndonëse Kosova ka një peizazh mediatik pluralist, nivele të ulëta të dhunës fizike ndaj gazetarëve dhe një kornizë legjislative gjerësisht të harmonizuar me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, liria e mediave në Kosovë ka shënuar qartazi një periudhë të rënies”, ka shkruar Kusari.

Ajo ka renditur edhe faktorët që, sipas raportit, kanë ndikuar në këtë vlerësim.

“Faktorët kryesorë të këtij vlerësimi janë miratimi nga Kuvendi i Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media (ligjit për media) – i cili më pas u shpall antikushtetues – që do të rriste kontrollin politik mbi KPM, financimi i pamjaftueshëm dhe presionet ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK), si dhe shtimi i vazhdueshëm i sulmeve verbale dhe denigrimit të gazetarëve nga politikanë të partisë në pushtet”, thuhet në postimin e saj.

Të ngjashme