Kush janë botët, si të mbrohemi prej ligësisë së tyre?

Prishtinë | 28 Dhj 2018 | 07:05 | Nga Milazim Krasniqi

Termi bot është version i shkurtuar nga fjala robot dhe ka kuptimin e subjektit që vepron në mënyrë okulte në internet, me qëllimin final promovimin e pamerituar të dikujt ose demonizimin e padrejtë të dikujt tjetër.

Pra, botët në përgjithësi janë militantë të ligësisë, tipa që e gjuajnë gurin dhe e fsheh dorën. Më të shumtën janë vullnetarë ose mercenarë të paguar të partive politike. Në aktivitetin konkret botët shkruajnë dhe publikojnë ditë e natë komente në favor të subjektit të vet, ose kundër oponentëve të atij subjekti. Një tipar i tyre është edhe vampizmi (derivat nga fjala vampir) pra mbajtja e kujdestarisë edhe natën vonë, duke terrorizuar kundërsharët e sponsorëve të vet.

Këto aktivitete botët zakonisht i bëjnë për para, për punësim ose për avancim në karrierë, gjë që u mundësohet nga partia ose nga agjencia për të cilën zhvillojnë aktivitetin e vet okult.

Për plasimin e komenteve të tyre, botët përdorin nga disa adresa të rreme, profile të rreme, të cilat ashtu e krijojnë idenë te publiku se shumë njerëz po menduakan ashtu, pra në favor të një politikani, të një partie ose të një agjencie, ose kundër një politikani, një partie ose një agjencie oponente. Pra, qëllimi është formimi i një opinioni të manipuluar nga bombardimi me të pavërteta, me qëndrime të rreme.

Brenda skemës së përgjithshme të manipulimti që bëjnë, botët kanë edhe nuancime. Një grup, mirren me shkrimin e komenteve nëpër mediet e ndryshme, në favor ose kundër dikujt, disa mirren me plasimin e tvitave dhe postimeve në rrjete sociale për të tjerët, kryesisht për politkanët dhe biznesmenët që nuk kanë shumë kohë për këso aktivitetesh. Një grup tjetër i botëve mirren me gjëra më të këqija, siç janë vjedhja e profileve të të tjerëve, vjedhja e reklamave, duke imituar firmat e tjera, pastaj fabrikimi i lajmeve të rreme, sulmet e orkestruara e të porositura, etj.

Një numër i konsiderueshëm i partive politike po edhe i liderëve partiake e shtetërorë, gjithandej nëper botë, tashmë kanë ekipet e botëve që punojnë për ta dhe kundër oponentëve të tyre, gjatë 24 orëve në ditë. Shumë nga ato subjekte partiake, kanë edhe platformat e veta të specializuara, ku barten përmbajtjet mediale ku ata përmenden dhe pastaj botët shkruajnë komentet e tyre pro tyre, dhe kundër oponentëve. Kjo armatë militantësh të mskuar aps profileve të rreme është shumë e madhe, bile e frikshme. Sipas disa të dhënave, numri i adresave dhe profileve të rreme në internet është rreth 52% të të gjitha adresave! Karakteristika e komenteve të botëve është vulgariteti, primtivizmi, sharjet, etiketimet, shpifjet, ndonjëherë edhe humori pa kripë. Me një fjalë qëllimi i tyre është glorifikimi i punëdhënësit dhe bile edhe më shumë satanizimi i oponentëve të tij.

Tashmë është e ditur se ndikimet e manipulimeve me anën e medieve në jetën politike, duke përfshirë edhe fushatat elektorale, janë të mëdha. Bile edhe në shtete të mëdha e me demokraci të qëndrueshme, siç janë Shtetet e Bagsjuara të Amerikës, ndikimi i manipulimit me anën e rrjeteve sociale dhe botët si promotorët kryesorë të atij manipulimi, janë bërë objekt edhe i hetimeve në sistemin e drejtësisë amerikane. Bile objekt hetimi është edhe vetë presidenti i SHBA-ve. Pra, gogoli i botizmit (nëse e ndjekim formën e fjalës robot, kështu na del shqip) po kalëron nëpër botë, me galop të frikshëm. Bile mund të thuhet se edhe demokracitë e vjetra e të qëndrueshme, janë të lebetitura para këtij gogoli.

Nga rritja e shpejtë dhe e frikshme e ndikimit të kësaj forme të komunikimit dhe manipulimit, një gjë duhet të jetë e qartë tashmë: shanset që njerëzit dhe demokracitë të mbrohen me teknologji kundër teknologjisë dhe me imoralitet kundër imoralitetit, janë të barabarta me zero. Askush nuk mund të matet në poshtërsi me të poshtërit, pa u bërë edhe vetë i atillë. Prandaj, duhet të hulumtohen rrugë të tjera e mekanizma të tjerë për t’u mbrojtur nga kontaminimi që po shkaktojnë botët përkatësisht botizmi. Si? Besoj se ka një mënyrë të vetme. Mënyra e vetme është ringritja morale e njerëzve, me anën e arsimit më cilësor, i cili e ngre aftësinë e gjykimit kritik dhe me anën e besimeve fetare, që do t’u rimësojnë njerëzve si ta dallojnë të mirën nga e keqja, të vërtetën nga gënjeshtra, solidaritetin nga makutëria, mëshirën nga egoizmi. Nëse nuk fuqizohen arsimi dhe besimet fetare monoteiste, njerëzit rrezikojnë të zombizohen e të bëhen të paaftë që të ballafaqohen me manipulimin e programuar nga individë, parti e agjenci, që kanë ambicie të shfrenuara për dominim, për eksploatim, për diskriminim.

Është e sigurt se arsimi i mirë dhe besimi i drejtë i bëjnë njerëzit më të qëndrueshëm e më të guximshëm në ballafaqim me të keqen. Rrjedhimisht, në kuadër të arsimit më cilësor është bërë i pashmangshem inkuadrimi i njohurive themelore për edukimin medial, që njerëzit të kuptojnë edhe se si u ekspozohen presioneve dhe manipulimeve me anën e medieve dhe si duhet të mbrohen prej agresionit të tyre. Ndërsa në kuadër të ringritjes morale, do të duhej të futej si lëndë mësimi edhe edukimi fetar, ku do të mësohej mbi vlerat sublime të Shpalljeve Hyjnore, të cilat njeriun e kanë ngarkuar të kërkojë me ngulm të vërtetën e kurrsesi të mos besojë në idhuj të rremë, ku bien edhe figurat politike. Sipas Shpalljeve Hyjnore njeriu është i obliguar ta thotë të vërtetën edhe nëse ajo është në dëm të tij e të prindërve të tij, pastaj të jetë i mëshirshëm ndaj njerëzve në nevojë dhe i guximshëm përballë atyre që bëjnë çrregullime në Tokë.

Shkurt, luftën kundër armatës tinëzare të botëve, kundër botizmit dhe kundër sponsorëve të tyre të pamoralshëm, mund ta fitojnë vetëm njerëz të imunizuar me dituri dhe me besim fetar të vërtetë. Të tjerët do të jenë vullnetarisht viktima të ambicieve dhe të pasioneve të të pafytyrëve dhe të të pamëshirshmëve.

Të ngjashme