Lajçak: Po punojmë intensivisht në përcaktimin e detyrës për komisionin monitorues

Prishtinë | 23 Mar 2023 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se arsyeja pse presidenti Vuçiq nuk e nënshkroi marrëveshjen e Ohrit, është sepse i kishte thënë që kishte kufizime kushtetuese.

Megjithatë sipas tij dokumenti është i detyrueshëm dhe për këtë nuk duhet të ketë diskutim.

“Presidenti Vuçiq na e bëri të qartë se nuk është në gjendje ta nënshkruajë këtë dokument, duke përmendur kufizimet kushtetuese. Ne propozuam disa mënyra për zgjidhjen e këtij problemi, por këto propozime u refuzuan. Në fund u pajtuam që dokumenti të të zyrtarizohet përmes publikimit nga përfaqësuesi i lartë, gjë që ndodhi të shtunën, që është në përputhje me praktikën ndërkombëtare dhe kështu ky dokument u bë formal dhe detyrues. Të gjitha spekulimet nëse dokumenti është i vlefshëm dhe i detyrueshëm janë të pakuptimta”, tha Lajçak.

Ndërsa shtoi se po punohet intensivisht për t’ia përcaktuar detyrat Komisionit të Përbashkët Monitorues.

“Organi që do të monitorojë, vlerësojë dhe raportojë për zbatimin është Komiteti i Përbashkët i kryesuar nga BE. Ky është një nga elementet e aneksit ku thamë se brenda 30 ditëve do të ngrihet ky komitet i përbashkët monitorues. Dhe tani jemi duke punuar intensivisht në përcaktimin e detyrës për këtë komision të përbashkët monitorues. Ky do të jetë autoriteti. Në pikën tuaj të parë, nuk ka asnjë kontradiktë këtu. Deklarata në lidhje me nenin 7 të marrëveshjes thjesht i referohet përkushtimit të kahershëm ndaj Kosovës që rrjedh nga marrëveshjet e 2013 dhe 2015. Duke qenë se kjo është kaq e vonuar, është shumë e qartë se duhet trajtuar si çështje prioritare”, thekson ai për Euronews Serbia.

Të ngjashme