Lansohet projekti për ngritje të kapaciteteve hulumtuese në Kosovë “NanoKos”

Prishtinë | 07 Qer 2023 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Në Fakultetin e Mjekësisë është lansuar projekti “Ngritja e kapaciteteve hulumtuese në Kosovë – Nanopartikulat në Mjedis dhe në Hulumtim Mjekësor – NanoKos”, projekt ky që financohet nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 1 milion euro. UP-ja, në këtë projekt, që koordinohet nga profesori Armond Daci, është partner i përbashkët me Universitetin e Mbretit në Londër (lider), Universitetin e Milanos dhe Universitetin e Parmës.

Gjatë këtij takimi u prezantuan aspektet e përgjithshme të projektit, përfshirë qëllimet e tij, perspektivat e partnerëve dhe qasjet drejt implementimit të tij.

Hapjen e takimit e bëri rektori Qerim Qerimi, duke iu uruar mirëseardhje të pranishmëve. “UP-ja do të përfitojë shumë nga ky projekt, i cili synon ngritjen e kapaciteteve hulumtuese, duke siguruar ambient dhe pajisje moderne për hulumtim, lehtësim të shkëmbimit të studentëve dhe stafit, me qellim të trajnimit të përbashkët, ofrimi i granteve për performancë dhe forma të tjera të mbështetjes,” tha rektori. Ai shtoi që UP-ja, së fundi, ka ngritur fondin për mbështetje të kërkimit shkencor dhe është duke punuar me dedikim të plotë në simulimin e të rinjve për hulumtim, duke ofruar edhe bursa për studentët e doktoratës dhe duke ngritur kapacitetet e laboratorëve.

Për rëndësinë e këtij projekti foli edhe dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, prof. Suzana Manxhuka–Kerliu, e cila theksoi që ky fakultet është një ndër njësitë akademike më atraktive për të rinjtë. “Ky projekt na ndihmon edhe në arritjen e objektivave kryesore të fakultetit tonë, të cilat, ndër të tjerash, janë: ndërkombëtarizimi dhe ngritja e kapaciteteve hulumtuese, duke qëndruar kështu si pikë reference për ekselencë, cilësi të lartë të studimeve dhe të praktikës klinike,” tha ajo.

Përkrahjen për projektin e shprehen edhe përfaqësuesit e institucioneve. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha që ministria që ai përfaqëson është jashtëzakonisht e interesuar që të kontribuojë në zhvillimin e kapaciteteve në fushën e nanopartikulave në mënyrë që kjo të reflektojë në një përmirësim të tërësishëm të situatës në mjedis. Rëndësinë e këtij projekti dhe përkrahjen në implementimin e tij e potencuan edhe zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Edona Maloku-Berdyna, dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, znj. Liza Gashi.

Fjalë rasti në këtë event adresuan edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, shkëlqesia e tij Antonello de Riu dhe shefi i sektorit për bashkëpunim nga zyra e BE-së në Kosovë, Johannes Madsen.

Ndërkaq, ekipi i koordinatorëve të projektit nga universitetet partnere, i përbërë nga Driton Vllasaliu, nga Universiteti i Mbretit në Londër, Guissepe Danilo Norata dhe Giagiacomo Beretta nga Universiteti i Milanos, Michele Miragoli nga Universiteti i Parmës dhe Armond Daci nga Universiteti i Prishtinës, para të pranishmëve, prezantuan projektin. Ata theksuan që nga ky projekt pritet të ngritën aftësitë hulumtuese laboratorike të studiuesve kosovarë, të rritet numri i partneriteteve me universitete evropiane, të avancojë aftësitë menaxhuese dhe administrative të stafit të UP-së, të ngre infrastrukturë moderne për hulumtim dhe të përfshijë studentët e të gjitha niveleve studimore në hulumtim.Pas këtij takimi, është mbajtur punëtoria me profesorë dhe studentët, gjatë të cilës janë prezantuar më në detaje thirrjet dhe mundësitë në kuadër të projektit. 

Të ngjashme