Latifi: Kurti shpërfilli amerikanët dhe ju besoi evropianëve – gaboi

Prishtinë | 21 Nën 2022 | 19:22 | Nga Ekonomia Online

Analisti Blerim Latifi ka reaguar pas dështimit për arritjen e një marrëveshjeje në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat u përfaqësuan nga nivelet më të larta.

Ai ka kritikuar indirekt Bashkimin Evropian për qasjen ndaj Kosovës, sot, në tavolinën e negociatave përgjatë takimeve tetëorëshe.

Sipas Latifit, BE po bën padrejtësi ndaj Kosovës në mënyrë që ta largojë Serbinë nga Rusia.

“Ne nuk duam eskalim të situatës, prandaj kërkojmë që ju të hiqni dorë nga zbatimi i ligjit dhe të pranoni paligjshmërinë e Serbisë brenda territorit tuaj! Mesazhi implicit: ju nuk jeni shtet përnjëmend, prandaj, në raport me Serbinë që është shtet përnjemend, BE-ja merr parasysh pozicionin serb! Mesazhi tjetër implicit: Ne, pra BE-ja, jemi të interesuar parasegjithash ta largojmë Serbinë nga Rusia dhe për këtë ia vlen ta sakrifikojmë Kosovën, të cilës kemi kaq kohë që ia kemi mbyllur dyert dhe ndonëse ia kemi premtuar liberalizimin e vizave tash e sa vite, nuk e kemi as ndërmend t’ia mbajmë premtimin! Dhe nëse 3500 paramilitarët serbë të stacionuar në veri nisin kundërvënien e armatosur ndaj forcave kosovare të rendit, fajtor do të mbahet Kosova”, ka shkruar ai.

Latifi ka thënë se Kurti gabimin katastrofal e ka bërë duke shpërfillur amerikanët dhe duke u besuar evropianëve.

“Në tërë këtë lojë të ndyrë, gabimi katastrofal i Kurtit është se u ka besuar europianëve dhe ka shpërfillur këshillat e amerikanëve. Në fakt me këtë ai ka rënë në kurthin e të parëve, të cilët e kanë shfrytëzuar çarjen e Kurtit me amerikanët për ta poshtëruar edhe njëherë shtetin e Kosovës”, ka theksuar Latifi.

Të ngjashme