Latifi: Nuk guxojmë të lirohemi pasi lufta kundër Covid-19 s’ka mbaruar ende

Prishtinë | 11 Shk 2022 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë sot se lufta kundër virusit Covid-19 nuk ka kaluar ende. Kështu ai tha se masat nuk duhet të lirohen njëherë.

Këtë deklaratë Latifi e dha gjatë ceremonisë së pranimit të kontingjentit me 515, 970 doza të vaksinës Pfizer, të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Për dhjetë (10) muaj prej fillimit të vaksinimit në Kosovë, janë dhënë 1.8 milionë, vaksina; rreth 63% e popullatës tonë e moshës mbi 12 vjeçare kanë marrë nga një dozë të vaksinës kundër COVID-19 dhe 57% të dy dozat. Fillimi i dhënies së dozës së tretë është inkurajuese dhe duhet të shtohet edhe më shumë. E gjithë kjo punë e madhe është bërë falë përkrahjes dhe partneritetit me UNICEF-in, OBSH-në, SHBA-të dhe partnerët evropianë. Me gjithë këto rezultate, nuk guxojmë të lirohemi dhe të ndalemi në këtë proces, ngase lufta kundër COVID-19 nuk ka mbaruar ende”, ka thënë Latifi.

Nga kjo ceremoni Latifi u ka bërë thirrje qytetarëve mbi moshën 12 vjeçare që të vaksinohen. Këtë thirrje ai e ka pasur edhe gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse.

“Prandaj, nga ky vend sot këtu, unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mohës mbi 12 vjeçare që të vaksinohen. Në veçanti u bëj thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Shtatzënat dhe nënat gji-dhënëse duhet të vaksinohen gjithashtu. Pa rezerva dhe pa hezitim. Vetëm kështu do t’ua shpaguajmë miqve tanë përkrahjen që na kanë dhënë në ditë të vështira, ndërsa punonjësve shëndetësor dhe gjithë atyre që kanë kontribuar falënderimin për këmbënguljen dhe vetëmohimin e tyre në këtë luftë të pa kompromis”, tha më tutje ai.

Të ngjashme