LDK-ja e kthen mbeshtetjen e Diasporës, ky është dallimi me votat me postë të 2017-ës

Prishtinë | 25 Tet 2021 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Në 24 orët e fundit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet e votave nga diaspora, për zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën e 17 tetorit.

Sipas fletëvotimeve të numëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), partia e cila ka marrë më së shumti vota nga diaspora është LDK-ja, me 3158 sosh, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Krahasuar me zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura më 2017, ka qenë LVV-ja ajo e cila ka prirë me votat e diasporës, me 1390 gjithsej, teksa në këto zgjedhje ka marrë 2692 vota.

Kurse, LDK-ja kishte marrë 537 vota, pra 2621 më pak se në zgjedhjet lokale të 2021.

Kurse, kandidati më i votuar për kryetar komunash në zgjedhjet e 17 tetorit ka dalë të jetë Ardian Shala i LDK-së që ka garuar për kryetar të komunës së Suharekës.

Ai mori saktësisht 711 vota nga mërgimtarët.

Ndërsa, kandidati i cili ishte votuar më së shumti nga diaspora në vitin 2017 kishte qenë Shpend Ahmeti, atëherë anëtar i LVV-së, me 199 vota.

Një rritje të numrit të votave nga mërgimtarët e kanë PDK-ja dhe AAK-ja.

PDK-ja në vitin 2017 kishte marrë 329 vota nga diaspora, kurse në këto zgjedhje ka fituar 1145.

E AAK-ja kishte marrë 236 vota, teksa në zgjedhjet e së dielës ka marrë 1473 vota me postë.

Ndryshe, në zgjedhjet lokale që u mbajtën javën e kaluar, KQZ-ja ka pranuar 10 mijë e 934 zarfe me fletëvotime nga votat me postë, prej të cilave 9 mijë e 610 janë pranuar, ndërsa 1 mijë e 324 prej tyre i ka refuzuar.

Krahasuar me vitin 2017, diaspora kishte shprehur më shumë interesim për të votuar, ku 11 mijë e 813 kanë qenë vota me postë, prej të cilave 10 mijë e 478 janë pranuar, ndërsa 1 mijë e335 janë refuzuar.

Sipas rezultateve të votave jashtë Kosovës, të cilat janë dërguar përmes postës në adresë të KQZ-së gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor, në 15 komuna kryesojnë kandidatët e LVV-së (Prishtinë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë, Podujevë, Fushë Kosovë, Obiliq, Kamenicë, Shtime, Drenas, Malishevë, Vushtrri, Kaçanik).

Në 7 komuna më shumë vota nga diaspora kanë kandidatët e LDK-së (Pejë, Istog, Dragash, Junik, Suharekë, Lipjan, Novobërdë).

Në 3 komuna prijnë kandidatët e PDK-së (Viti, Skenderaj, Hani i Elezit).

Edhe kandidatët e AAK-së janë të parët në 3 komuna (Rahovec, Deçan, Klinë), shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

KQZ-ja ka njoftuar se sot pritet të numërohen edhe votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Kujtojmë se në disa komuna, gara për kryetar ka përfunduar në raundin e parë dhe qytetarët nuk do të kenë nevojë t’u drejtohen përsëri kutive të votimit.

Megjithatë, në shumicën prej komunave të mëdha, përfshirë edhe kryeqytetin, pritet një garë e fortë mes kandidatëve.

Të ngjashme