LDK përkujton aktin çnjerëzor në Mitrovicë të ndodhur 23 vite më parë

Prishtinë | 03 Shk 2023 | 14:25 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar ngjarjen në Mitrovicë, që ka ndodhur 23 vite më parë, ku u vranë 10 persona, u plagosën 25 dhe rreth 11 mijë të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

“Sot, më 3 shkurt, ne përkujtojmë 23-vjetorin e një nate tmerri në Mitrovicë; ndër aktet e rënda, tronditëse dhe të dhimbshme ndaj popullit të Kosovës. Në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, u vranë 10 shqiptarë, u plagosën 25 dhe u dëbuan nga shtëpitë e tyre 11,364 të tjerë. Ngjarje si kjo na dëshmojnë përjetime tona si popull dhe duhet të na freskojnë kujtesën për të mos harruar kurrë kalvarin e mundimeve tona. Ne e paguam shtrenjtë çmimin e lirisë”, thuhej në njoftim.

LDK thotë se një ndër përgjegjësit kryesor ishte edhe Oliver Ivanoviç, i cili ishte dënuar me 9 vite burg.

“Një ndër përgjegjësit kryesor të kësaj masakre e spastrimi etnik, ishte edhe Oliver Ivanoviq, i cili për të gjitha aktet dhe veprat çnjerëzore ndaj popullsisë shqiptare, ishte dënuar me 9 vite burg. Lidhja Demokratike e Kosovës bashkëndjenë me familjet e viktimave të 23 vjetëve më parë, ashtu siç dhe kujton sot e gjithherë sakrificën e madhe të popullit tonë për liri e pavarësi. Mbi këtë sakrificë, LDK do të përkushtohet në vazhdimësi për një Kosovë të zhvilluar, të mirëqenë dhe për një jetë të dinjitetshme për qytetarët tanë”, thuhej më tej.

Të ngjashme