Lëvizja Qytetare ‘Odgovor’: Lista Serbe, Brigada e Veriut dhe Wagner do të shkaktojnë gjakderdhje, serbët në Kosovë janë peng të Vuçiqit

Prishtinë | 26 Dhj 2022 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Qytetare serbe “Odgovor” ka reaguar pas zhvillimeve të fundit që po ndodhin në veri të Kosovës.

Kjo lëvizje me anë të një shkrimi në Twitter ka thënë se fajtor për këtë gjendje është presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Sipas tyre, Lista Serbe, Brigada e Veriut dhe Wagner do të shkaktojnë gjakderdhje në Kosovë e Serbi, duke shtuar se serbët në veri të vendit janë peng të Vuçiqit.

“Organizatat terroriste Lista Serbe, Brigada e Veriut dhe Wagner, të cilat kontrollohen nga Aleksandar Vuçiq, do të shkaktojnë gjakderdhje në Kosovë e Serbi, nëse nuk e frenohen urgjentisht qëllimet e tij kriminale! Serbët në Kosovë janë peng të Vuçiqit”, theksojnë ata.

Po ashtu, Odgovor thekson se kanë dështuar përpjekjet e grupit kriminal Veselinoviq-Radoiçiq të nxisin konflikt në Zubin Potok dhe se Vuçiq dëshiron luftë në Kosovë.

“Një tjetër përpjekje për të organizuar një konflikt në Zubin Potok nga anëtarët e klanit kriminal Veselinoviq-Radoiçiq, fatmirësisht dështoi”, shton Odgovor.

“Predhat që ata përdorën për të provokuar konflikt të armatosur në rajon, dërguan një mesazh rrëqethës për komunitetin ndërkombëtar. Vuçiq vetëm dëshiron luftë në Kosovë”, përfundojnë ata.

Grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim. 

Të ngjashme