Liburn Aliu i jep përkrahje Rexhep Selimit në ditën e parë të gjykimit

Prishtinë | 03 Pri 2023 | 17:07 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, i ka dhënë mbështetje sot bashkëpartiakut të tij, Rexhep Selimit, me nisjen e gjykimin ndaj tij dhe tre krerëve të tjerë të UÇK-së, të cilët, ministri Aliu, nuk i ka përmendur me emër.

Aliu, që për shumë vjet ka bashkëvepruar me Selimin në Lëvizjen Vetëvendosje, e ka publikuar një fotografi të ish-Inspektorit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Deri në fitoren tënde të pashmangshme, Gjeneral! Lavdi luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të bindur se drejtësia do të triumfojë përherë!”, ka shkruar Aliu.

Në Hagë, sot ka nisur gjykimi për katër krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Gjykimi nis pas më shumë se dy vjet e gjysmë prej kohës kur ata janë arrestuar.

Prokurorët e Speciales sot lexuan disa prej akuzave, të bëra për katër krerët e UÇK-së. Në pjesën e parë u shpalosën dëshmi që, sipas tyre, tregojnë se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ka vepruar i organizuar, ka pasur kompetenca ekzekutive dhe se në strukturat e UÇK-së ka pasur përgjegjësi, sipas hierarkisë.

Të ngjashme