Ligji i pagave, Gashi: Mosdërgimi i listave të pagave në institucione ka krijuar pasiguri, Qeveria t’i qesë pagat me rritje

Prishtinë | 28 Shk 2023 | 17:04 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Administratës Publike, Ali Gashi, ka thënë se deri në orën 16:00 të pasdites nuk janë ekzekutuar pagat në administratën e sektorit publik. Ai tha se nuk janë dërguar as listat e pagave nëpër institucione që sipas tij kjo ka krijuar hamulli dhe pasiguri, raporton Ekonomia Online.

Ai në një përgjigje për EO, tha se shpreson që pagat të ekzekutohen sipas ligjit të ri dhe sipas vlerës së koeficientit të ri.

“Për besë deri në ora 16:00 nuk kemi pas informata që kanë dalë pagat, rrjedhimisht unë nuk e di ende a kanë dalë pagat që ta konfirmoj, sido që të jetë ka qenë shqetësim për ne për arsye se zakonisht janë sjellë më herët listat e pagave por kësaj radhe listat e pagave nuk iu kanë dërguar institucioneve e që ka krijuar hamulli dhe në njëfarë forme pasiguri, sido që të jetë shpresojmë që ashtu siç është e paraparë me ligjin e pagave që sot të dalin pagat e zyrtarëve publikë, sipas ligjit të ri dhe sipas vlerës së koeficientit të ri”, tha Gashi për EO.

Ai tha se ligjërisht do të duhej që të vendoseshin më rritje këto paga dhe se Qeveria është e obliguar ta respektojë ligjshmërinë.

“Po shpresojmë dhe do të duhej ligjërisht të ishte me rritje për arsye sepse ligji është fut në zbatim dhe nga ky ligj burojnë edhe pagat, prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës është e obliguar që ta respektojë ligjshmërinë, e të njëjtën kohë edhe t’i qesë pagat me rritje ashtu siç është e paraparë në mënyrë decidive në ligjin mbi pagat”, tha Gashi për EO.

Të ngjashme