Ligji për Zyrtarët Publikë ende në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese

Prishtinë | 23 Mar 2023 | 08:46 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Kosovës në seancën e 22 dhjetorit ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Zyrtarët Publikë.

Një javë pas miratimit, Ligji për Zyrtarët Publikë përfundoi në Gjykatën Kushtetuese.

Nga Gjykata Kushtetuese për Telegrafin kanë thënë se aktualisht është duke u shqyrtuar Ligji për Zyrtarët Publikë.

Megjithatë sipas zëdhënësit të Gjykatës, Veton Dula, afatet rrjedhin pas kompletimit të të gjitha shkresave dhe përgjigjeve respektive të palëve.

“Kjo kërkesë është parashtruar në Gjykatë, më 30 dhjetor 2022 dhe aktualisht është duke u shqyrtuar. Afati i vendimmarrjes në këtë rast është përcaktuar me nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, dhe i specifikuar më tej me Rregullin 33 (Regjistrimi i kërkesave dhe afati i dorëzimit) të Rregullores së punës së Gjykatës. Bazuar në këto dispozita, afatet rrjedhin pas kompletimit të të gjitha shkresave dhe përgjigjeve respektive të palëve”, ka deklaruar Dula.

Ai ka thënë se sapo të merret vendimi i Gjykatës përkitazi me këtë rast, do të njoftohen me kohë të gjitha palët dhe opinion.

Kontestimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë në këtë instancë të shtetit e bënë dy partitë opozitare, PDK e LDK, por jo bashkërisht.

Përfaqësues të të dyja partive opozitare vlerësuan se Ligji ka një varg shkeljesh kushtetuese dhe se synim ka nënshtrimin e administratës publike ndaj pushtetit.

Kërkesën për interpretimin e kushtetutshmërisë së këtij Ligji, së pari e çoi në Gjykatë PDK-ja, e cila ka kontestuar katër nene: 9, 12, 46 dhe 99.

Derisa LDK vlerësoi se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në kundërshtim me marrëveshjen ndërkombëtare të ratifikuar nga Kuvendi dhe po ashtu është në kundërshtim me ligjet e tjera dhe shkakton kolizion mes ligjeve.

Edhe Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj miratimit të Projektligjit për zyrtarët publikë.

Sipas BE-së, projektligji i ri për zyrtarët publikë është problematik, “pasi shton liri të tepruar veprimi në procedurat e rekrutimit, transferimit, si dhe në procedurat disiplinore të nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të cenueshëm ndaj politizimit”.

Të ngjashme