Lihet në burg ish-ushtari i UÇK-së që arrestua në Tiranë me urdhër të Speciales: S’kam kryer asnjë krim, i shërbeva Kosovës

Prishtinë | 17 Gus 2023 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Është zbardhur dëshmia e Dritan Goxhajt, ish-anëtari i UÇK-së, i cili u arrestua në Tiranë me urdhër të Gjykatës Speciale. Nga Apeli i Tiranës ai tha se nuk kishte kryer asnjë krim.

“Nuk kam kryer asnjë krim. I kam shërbyer me mendje e zemër vendit tim dhe Kosovës. Çfarë kam bërë që të arrestohem për hatër të Serbisë?”, tha ai para togave të zeza.

Ndërkohë, avokati Bashkim Nikolla tha se kërkesa për ekstradim është tërësisht politike.

“Kërkesa për ekstradim është tërësisht politike dhe për t’u bërë qejfin Serbisë. Bie ndesh me Kushtetutën dhe konventat.”, tha ai.

Teksa u kërkua rivlerësimi i masës së sigurisë, Gjykata e Apelit la në fuqi masën ‘arrest me burg’ për Goxhajn.

Pas arrestimit më 31 korrik, Nga Gjykata Speciale kishin thënë për Gazetën Online Reporteri.net se Goxhaj po dyshohet në lidhje me veprat kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

“Më 31 korrik 2023, autoritetet e Shqipërisë arrestuan z. Dritan Goxhaj në Tiranë. DHSK-ja kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në DHSK, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare. Z. Goxhaj do të mbahet i paraburgosur në Shqipëri në pritje të vendimit të autoriteteve shqiptare lidhur me transferimin e z. Goxhaj në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë.”, thuhej në përgjigjen e tyre.

Të ngjashme