Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurit Xhevdet Sheqiri, i cili akuzohej se ka sulmuar vëllanë e tij pas një mosmarrëveshje për pronë.
Shpallja e aktgjykimit ndaj Shaqirit u bë të premten nga gjykatësi i rastit, Dibran Isufi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai tha se i akuzuari Shaqiri lirohet nga akuza pasi që gjykata nuk ka arritur ta provoi se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej. Gjykatësi Isufi bëri të ditur se pala e dëmtuar mund të paraqesë kërkesë pasurore-juridike në kontest të rregullt juridiko-civil.
Sipas aktgjykimit, shpenzimet e procedurës për këtë rast bien në barrë të gjykatës dhe se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 14 maj 2020, i pandehuri Xhevdet Sheqiri me datë 9 prill 2020, në Fushë Kosovë, pas një mosmarrëveshje me tani të dëmtuarin Mustafë Sheqiri rreth punimeve në oborrin e shtëpisë së tyre ku i dëmtuari kishte qenë duke punuar, i pandehuri me dashje fillimisht ka hipur në veturën e tij dhe është nisur në drejtim të dëmtuarit i cili po qëndronte së bashku me bashkëshorten e tij ulur në tavolinë dhe kishte goditur tavolinën dhe karriget, deri sa i dëmtuari së bashku me bashkëshorten e tij kishin arritur të largohen nga aty.
Me këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 184, par.1 të Kodit Penal.