Liverpool mund të jetë në krye të Premier League, por klubi është duke planifikuar ndryshime të mëdha në verë, me tre lojtarë kryesorë që mund të largohen nga Anfield.
Skuadra e drejtuar nga Arne Slot ka një epërsi prej gjashtë pikësh ndaj Arsenalit të vendit të dytë dhe një ndeshje më pak, duke qenë në rrugën e duhur për të fituar titullin në sezonin e tij të parë në krye të Liverpool.
Kjo vjen pavarësisht se Slot e mori drejtimin e skuadrës vetëm verën e kaluar, pas largimit të Jurgen Klopp pas pothuajse një dekade të suksesshme që përfshiu triumfe në Premier League dhe Champions League.
Përveç kësaj, Liverpool është në fazën e 1/16-ve të Champions League, ka siguruar një vend në finalen e Carabao Cup kundër Newcastle United dhe sot do të përballet me Plymouth Argyle në raundin e katërt të FA Cup.
Në merkaton e verës së kaluar, Liverpool bëri vetëm një transferim, duke sjellë anësorin Federico Chiesa nga Juventusi për 10 milionë funte. Nuk pati asnjë përforcim tjetër as në afatin kalimtar të janarit, duke e lënë skuadrën kryesisht me lojtarët që Klopp kishte ndërtuar më parë.
Megjithatë, ndryshimet priten në fund të sezonit dhe sipas raportimeve të Anfield Watch, Liverpool është gati të shesë Diogo Jota, Darwin Nunez dhe Luis Diaz në verë.
Raporti tregon se Nunez dhe Diaz janë në shënjestër të klubeve nga Arabia Saudite, ndërsa Jota mund të largohet për shkak të historikut të tij me lëndimet.
Luis Diaz u transferua nga Porto në janar 2022 për 37.5 milionë funte.
Darwin Nunez erdhi nga Benfica në verën e 2022 për 64 milionë funte.
Diogo Jota iu bashkua Liverpool nga Wolves në vitin 2020 për një shifër që mund të arrijë deri në 45 milionë funte.
Statistikat e tyre me Liverpool:
Nunez: 39 gola në 127 ndeshje
Diaz: 36 gola në 130 ndeshje
Jota: 64 gola në 165 ndeshje
Duket se Liverpool po përgatitet për një verë të nxehtë në merkato, ku do të kërkojë të rindërtojë ekipin e Arne Slot me lojtarë të rinj dhe ndoshta një sulmues të ri për të udhëhequr linjën e sulmit në sezonin e ardhshëm.