Lladrovci: PDK mund të ulë tensionet duke dhënë emrin për president

Prishtinë | 25 Pri 2026 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka komentuar zhvillimet që po ndodhin sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit.

Sipas Lladrovcit, PDK mund të ulë tensionet duke thënë një emër për kandidat për president.

“Ndryshe, keqpërdorimi i zgjedhjeve për motive të dobëta, do të jetë kryefjalë e udhëheqësve aktualë, të katër partive në Parlament. Pa dashur të bëj gjykatësin, PDK është me më pak faj, megjithëse mund të ulë tensionet, duke dhënë emrin e kandidatit për president”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Sa më larg atdheut, ai bëhet më i dashur. Në këtë fundjavë, leximi i lajmeve nga Gjermania, po ma shton dëshpërimin, pse nuk kemi fuqi përbashkuese për ecje përpara. Pse dikush duhet të duket më i rëndësishëm se Kosova. Kushdo e vendosi veten mbi Kosovën, nuk la gjurmë të mirë.

Me të drejtë, partitë politike nuk e shqyrtuan propozimin e sotëm të pozitës. Si asnjë herë më parë, në politikën tonë duket i largët koncepti marrëveshje dhe konsensus. Lojërat politike kanë mund të ndalen kur qarkullonin emrat e Glaukut, Albulenës e ndonjë tjetër, para disa muajve.

Po, mund të bëhet befasi nga tri partitë politike, duke e emëruar një kandidat konsensual e jo tre, i cili mund të dilte si emër deri në mbrëmje dhe të ndaleshin spekulimet për Presidentin dhe kërcënimi i zgjedhjeve. Një kandidat si Murat Jashari, do të ishte kandidat përtej matematikave ekzistuese.

Ndryshe, keqpërdorimi i zgjedhjeve për motive të dobëta, do të jetë kryefjalë e udhëheqësve aktualë, të katër partive në Parlament. Pa dashur të bëj gjykatësin, PDK është me më pak faj, megjithëse mund të ulë tensionet, duke dhënë emrin e kandidatit për president.

Të ngjashme