Lluka diskuton për sektorin energjetik me Komisionerin Johannes Hahn dhe drejtorin për Energji, Dominique Ristorin

Prishtinë | 01 Qer 2018 | 10:02 | Nga

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka takuar dje Komisionerin Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn dhe drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme për Energji (DG Energy), Dominique Ristori.

Sipas një postimi të ministrit Lluka në rrjetin social “Facebook”, në takim është biseduar për sektorin energjetik në përgjithësi.

Ky është postimi i plotë i ministrit:

“Dje, në takime të ndara, takova Komisionerin Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme për Energji (DG Energy), Dominique Ristori, me të cilët biseduam për sektorin energjetik në vend, sfidat që kemi si rajon në krijimin e një tregu të përbashkët energjetik për shkak të mos anëtarësimit të Kosovës në ENTSOe, projektet e reja gjeneruese në vend sikurse Termocentrali Kosova e Re dhe Energjia e Ripërtrishme, Rehabilitimi i Kosovës B dhe mbyllja e Kosovës A dhe masat për efiçiencë të energjisë që jemi duke i ndërmarrë në vend, përfshirë ligjin për efiçiencë të energjisë që sapo e miratuam në mbledhje të Qeverisë pak ditë më parë.

Shpjegova veprimet e Kosovës për devijimet energjetike në tregun Evropian duke ju shpjeguar në detaje problemin që kemi me mos implementimin e marrëveshjes së interkoneksionit mes Kosovës dhe Serbisë si dhe pasojat financiare për Kosovën si rezultat i këtij mos implementimi. Kërkova ndihmë drejtë zgjidhjes së problemit lidhur me Transmisionin dhe ndarjen e Kosovës si bllok i veçantë energjetik.

Gjithashtu, e falënderova për mbështetjen financiare që Komisioni Evropian i ka dhënë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik siç janë ndryshimi i filtrave në Kosovën B (35 milionë euro), fondi për efiçiencë të energjisë (10 milionë euro), dekomisionimi i Kosovës A dhe shumë grante tjera për projekte jo-energjetike”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme