Lluka: Telekomi i dha jashtëligjshëm qasje “Artillery One”, këta të fundit më ofenduan

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 13:48 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në raportimin para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se menaxhmenti i Telekomit ka nënshkruar një marrëveshje konfidencialiteti me një nga kompanitë e interesuara për privatizimin e Telekomit, “Artillery One”, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje i lejon kompanisë në fjalë qasje në gjithçka që ndërmerr Telekomi, në mënyrë që kur të ofertojnë për privatizim të dinë më mirë se çka do të blejnë.

Sa i përket “Artillery One” nuk ka marrëveshje me qeverinë e Kosovës për marrëveshje konfidencialiteti. Këtë e kemi me shkrim që i kemi kthy të gjitha tash se si ka ardhë që kjo kompani ka nënshkruar marrëveshje me Telekomin, këtu nuk ka punë Qeveria. Pa u formu komuniteti për privatizim nuk ka të drejtë askush të nënshkruaj marrëveshje të konfidencialitetit”, tha Lluka, raporton EO.

Ministri Lluka tha se “Artillery One” e kanë ofenduar pasi ky nuk ka pranuar t’i japë atyre të drejtë në qasje ekskluzive për të dhëna.

“Artillery One” më kanë ofenduar pasi që nuk i kam dhënë qasje ekskluzive për të dhëna dhe më kanë thënë se jam ministër i papërgjegjshëm”, tha Lluka.

Ai tha se privatizimi i Telekomit është i nevojshëm për ta shpëtuar këtë ndërmarrje.

“Privatizimi nuk ka koment, në këtë situatë që është Telekomi privatizimi është i vetmi shpëtim që mund të ndodhë”, tha Lluka.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se është shqetësuese si nënshkruhen marrëveshje të tilla pa miratimin e dikasterit përkatës.

“Është shumë shqetësuese nëse nuk kanë të drejtë me nënshkruar kontrata të tilla dhe nënshkruajnë. Nëse kjo mund të jetë problematike për të ardhmen atëherë mendoj që kjo të trajtohet sa më shpejtë. Jam i bindur që nëse ka një projekt serioz do vijnë edhe kompani serioze. Duhet qysh tash në hapat e para të sigurohen që procesi është i drejtë dhe transparent”, tha Krasniqi.

Lluka tha se dikasteri që ai e drejton është shumë i preokupuar me gjendjen financiare të Telekomit pasi ka pasur disa humbje të mëdha të cilat e kanë provokuar gjendjen financiare të kësaj ndërmarrje.

“MZhE është thellësisht e preokupuar me gjendjen financiare të Telekomit, ne jemi dëshmitarë ku Telekomi ka pasur një barazim të humbjeve, proceset e shumta të humbura kanë provokuar gjendjen financiare. Që nga marrja e mandatit si ministër kam punuar për ta adresuar secilin problem të Telekomit. Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmirësimin e ndërmarrjes së Telekomit. Sa i përket vendimit të fundit, ky vendim është i përputhshëm dhe kërkon aprovimin e Kuvendit të Kosovës. Cili do rekomandim i komisionit do t’i paraprijë procesit të ristrukturimit të kësaj ndërmarrjeje”, tha Lluka.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, e akuzoi Llukën se ai më shumë është zyrtarë i Z- Mobile se sa ministër i Zhvillimit Ekonomik.

“Ju ministër jeni në kundërshtim me Kuvendin e Kosovës, sipas nenit 93 pika e 3 ku thotë që vendimet e Kuvendit të Kosovës dhe ligjet që miratohen dhe aktet e tjera, Qeveria nuk është në përputhje me Rezolutën për Telekomin e cila thotë që nuk duhet me u privatizu, por të bëhet ristrukturimi i saj”, tha Konjufca.

Sipas tij arsyeja pse ndërmarrja Telekom po fundoset është pasi qeveritë e kaluar kanë qenë të fokusuara në drejtim të përfituesve privat.

“Arsyet që po fundoset Telekomi janë të ditura pasi që kemi pasë një qeveri të kaluar e cila ka qenë në funksion të përfituesve privat. Me këtë që po e bëni po tregoni që nuk jemi ministër i Republikës së Kosovës, por më shumë zyrtarë i Z-Mobile. Ju nuk po e shkëputni kontratën me Z-Mobile pasi që keni interesa ende në këtë kompani. Marrja e objekteve me qira, këtu nuk kemi pasë një hetim sa i përket keqpërdorimit, sa i përket qirave ku janë vjedhë me miliona euro”, tha ai.

Konjufca pati kritika edhe për kompaninë “Artillery One”, se si i është dhënë qasja në Telekom.

“Sa i përket kompanisë të cilën e keni ngarkuar lidhur me konsulencën për privatizimin desha të dijë se a jeni ju në informatë të saktë se kush janë këta njerëz si është e mundshme që një kompani ta marrë kontratën në ditën e cila regjistrohet në Prishtinë”, pyeti Konjufca.

E Lluka anëtarët e komisionit i njoftoi se privatizimi nuk do fillojë menjëherë pasi që Telekomi ende nuk e ka kaluar krizën e madhe brenda saj.

“Ka kohë, nuk është diçka që do fillojë menjëherë procesi i privatizimit pasi që Telekomi njëherë është në një gjendje shumë të keqe. Procesi i Rezolutës disa prej pikave të Rezolutës i kemi trajtuar paralelisht, menjëherë si angazhimi i Auditorit të Përgjithshëm të Telekomit këtë e kemi bërë menjëherë”, tha Lluka, raporton EO.

Ndërsa për ndërmarrjen Z-Mobile, Lluka tha se kontrata mes Z-Mobile dhe Telekomit do skadojë në qershor të këtij viti. Por, të bëhet kjo punë tash do ishte e vështirë sipas Llukës pasi që Telekomi i detyrohet kompanisë Z-Mobile me 32 milionë euro borxh.

“Sa i përket kontratës me Z-Mobile është e vërtetë që kam punu, por kjo kontratë do skadojë në qershor të këtij viti. Vendimi parasheh që na me e pagu Z-Mobile 32 milionë euro, por ne jemi në kushte të vështira”, u shpreh Lluka.

Vendimi i Qeverisë Nr.05/85 datë 22.1.2019 me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës” SH.A, nuk kaloi pasi nuk kishe kuorum.

Të ngjashme