Marrëveshja për targat, pengesa më e re për heqjen e regjimit të vizave

Prishtinë | 23 Nën 2022 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Kur mendohej se ishin harxhuar kushtet që BE-ja mund t’ia vendoste Kosovës në këmbim të liberalizimit të vizave, doli çështja e targave. Qeverinë Kurti tani e gjeti fati i paraardhëseve; liberalizimi i vizave u kushtëzua për të pafundmen herë.

Janë një pakicë e vogël e qytetarëve serbë që mbajnë targat ilegale, të cilat i lëshon Serbia për rajone të Kosovës, ka thënë disa herë Kryeministri Albin Kurti. Por, aq sa janë, targat u kthyen në kryengjarjen e pakapërcyeshme të Kosovës. Për t’u rritur akoma më shumë “pesha” e targave, sot u mor vesh se ato janë arsyeja pse çështja e liberalizimit të vizave u hoq nga rendi i ditës në Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se do t’i njoftojë shtetet anëtare për sjelljen e Kosovës në dialogun me Serbinë. Dhe, pasojat, ishin të menjëherëshme.

Nga Këshilli i Bashkimit Evropian kanë thënë sot se për shkak të situatës së krijuar në veriun e Kosovës, liberalizmin i vizave është hequr nga diskutimi.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, nuk është e përshtatshme ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve]”, ka konfirmuar Presidenca çeke në Këshillin e BE-së për Gazetën Express.

Kushtëzimi i heqjes së vizave ishte përjetuar edhe shumë herë të tjera. Më signifikanti ishte episodi me demarkacionin me Malin e Zi. BE-ja për disa vjet thoshte se nuk i heq vizat për kosovarët, pa u ratifikuar në Kuvend shënjimi i kufirit me Malin e Zi, që në vitin 2015 kundërshtohej nga opozita.

Demarkimi i kufirit me Malin e Zi u bë njëherë kusht i patejkalueshëm për heqjen e vizave për të hyrën në zonën Schengen.

Për tri vjet, që nga viti 2015 kur u nënshkrua marrëveshja, shënjimi i kufirit me Malin e Zi ishte shndërruar në temën më polarizuese, më të rëndësishme në Kosovë.

Historia e Demarkacionit u përmbyll në 2018-ën, gjatë qeverisjes së dikur kundërshtuesit të marrëveshjes me Malin e Zi, Ramush Haradinajt. Atëherë, ishte e sigurt që më kushte për viza s’mund të kishte dhe se ato do të hiqeshin për kosovarët.

“E përkushtuar në krijimin e një shoqërie demokratike, të bazuar në rend e ligj, Kosova tani pret që Bashkimi Evropian të bëjë pjesën e vet, ashtu siç u premtua, që më në fund qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja e lirë në BE, si të gjithë evropianëve tjerë”, kishte shkruar Haradinaj menjëherë pas ratifikimit.

Demarkacioni kaloi më 21 mars, dhe Kryeparlamentari i asaj kohe, Kadri Veseli, tha pas ratifikimit se përfundoi dimri politik dhe erdhi pranvera. ““Jam i sigurt që brenda vitit do të kemi lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës”, kishte thënë Veseli.

Por, kaluan më shumë se katër vjet dhe “pranvera” për të cilin fliste ish-kryeparlamentari, nuk u pa.

Këtë vjeshtë, nën udhëheqjen e Presidencës çeke, në KE dukej se po bëheshin lëvizje për liberalizimin e vizave.

Në dy muajt e fundit, Grupi Punues për Vizat është mbledhur dy herë. Herën e parë, Franca kishte vendosur kusht që kosovarëve t’u hiqeshin vizat, kur të hynte në fuqi sistemi ETIAS, që i binte, pas 1 nëntorit të vitit 2023.

Në takimin e dytë, Presidenca çeke propozoi që të ecej para, sipas këtij propozimi, por kjo nuk kaloi. Dy shtete kishin kundërshtuar edhe këtë. U raportua se njëra nga to ishte Spanja.

Të martën përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024. Këtë datë e kishte propozuar Spanja.

Pa kaluar akoma 24 orë, Presidenca çeke njoftoi se sot çështja e liberalizimit të vizave u hoq nga rendi i ditës, në takimin e ambasadorëve të vendeve të BE-së.

Të ngjashme