Marsh protestues në Ferizaj pas vrasjes së 21-vjeçares, merr pjesë edhe vëllai i saj i plagosur

Ferizaj | 15 Pri 2024 | 12:26 | Nga Ekonomia Online

Në Ferizaj ka nisur një marsh protestues pas vrasjes së një gruaje në Qendrën për Punë Sociale në këtë qytet pasditen e së premtes.

Protestuesit nisën marshimin nga afër kësaj qendre, duke mbajtur në duar parulla si “Vrasja është krim, jo justifikim” dhe “Institucionet janë bërë rrezik i grave”. Para tyre po mbajnë një parullë të ku shkruan “A duhet të armatosemi edhe ne, për ta mbrojtur veten?!”.

Në këtë protestë po merr pjesë edhe vëllai 15-vjeçar i gruas së vrarë, i cili mbeti i plagosur atë ditë.

21-vjeçarja Erona Cokli u vra nga ish-bashkëshorti i saj, 36-vjeçari Valon Aliu. Ajo u varros dje, ndërsa ish-bashkëshorti u arrestua ditën e krimit dhe ndaj tij u caktua masa e paraburgimit.

Një protestë e thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të mbahet edhe në Prishtinë. Është planifikuar të fillojë në 17:30 në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Të ngjashme