Me datë 4 korrik 2017, në orën 18:00 në stadiumin e qytetit “Adem Jashari” në Mitrovicë, do të zhvillohet ndeshja kualifikuese për Ligën e Kampionëve në futboll në mes të KF Trepça 89 dhe KF Vikingur.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë ka njoftuar se ka përgatitur planin operativ, njëherësh ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura përgatitore për të ofruar një siguri dhe rend publik për të gjithë pjesëmarrësit në këtë eveniment sportiv.
Rrjedha e qarkullimit të trafikut rrugor do të kontrollohet dhe drejtohet me udhëzimet e dhëna nga zyrtarët policorë, për të përshtatur një sistem funksional të qarkullimit. Me këtë rast, drejtuesit e automjeteve do të marrin të gjitha instruksionet e duhura nga zyrtarët e Policisë në terren.
Me qëllim të evitimit të kolonave në trafikun rrugor që shpien tek stadiumi “Adem Jashari”, Policia do të aplikojë një sistem të trafikut të orientuar drejt rrugëve alternative që shpien tek parkingjet e siguruara në zonat e tregut të gjelbër dhe në afërsi të stadiumit Riza Lushta.
Njëherësh i njoftojmë dhe apelojmë tek të gjithë qytetarët, në veçanti banorët e zonës së Iliridës në Mitrovicë, që të kenë në konsideratë intervalin kohor nga ora 15:00 deri në 21:00 të datës 4 korrik 2017, për shkak të fluksit të veturave.
Policia kërkon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj, për të mundësuar që secili të vijë dhe të largohet nga ky eveniment sportiv në mënyrë të sigurt.