Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në promovimin e librit për Masakrën e Poklekut në Drenas. Nga aty, Kurti ka bërë thirrje edhe një herë nga institucionet e drejtësisë që të punojnë për viktimat e luftës, raporton Ekonomia Online.
Kreu i ekzekutivit ka thënë ai varr i përbashkët është dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës.
“Nga rrjedha e gjakut të atij krimi buron edhe titulli i këtij libri që na ka rikthyer këtu në shtëpinë me gjak në mure”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar po ashtu se ky libër ka përmbledhur përjetimet e të mbijetuarve, dëshmitarëve dhe kujtimet për familjarët, derisa potencoi se kujtimet për të vrarët ruhen edhe brenda kësaj shtëpie muze të familjes Muqolli, të muzealizuar me mbështetjen institucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti gjithashtu përmendi projektin serbomadh për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”, dhe përpjekjet e shtetit serb që të zhukte gjurmët e krimit gjenocidal duke i djegur trupat e të vrarëve.
Nga Pakleku i Drenasit, aty ku edhe sot e kësaj dite muret janë të mbuluara me gjakun e të vrarëve, kryeministri Kurti bëri thirrje që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë për drejtësi për viktimat e luftës, pra të nis procese, të ngrejë akuza, të shqyrtojë çështjet e të dënojë kriminelët e luftës edhe kur ata janë në mungesë.
“Ai hi i mbledhur, ai varr i përbashkët është dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi popullin shqiptar të Kosovës. Është edhe thirrje për drejtësi. Edhe ky libër përshkohet nga kërkesa e familjarëve për drejtësi. Andaj, bëjmë thirrje që sistemi i drejtësisë të veprojë për drejtësi për viktimat e luftës”, ka thënë Kurti.
Kryeministri tha se vepra që na ka mbledhur sot është kujtim për të vrarët e përkujtim për të gjallët mbi rëndësinë e kujtesës historike dhe domosdoshmërinë e drejtësisë.
“Krimet e luftës nuk parashkruhen sikurse që nuk harrohen vuajtjet, dhimbjet e humbjet e familjeve Muqolli nga Pakleku, Caraku nga Dritani (ish-Dobroshevci), Elshani nga Korrotica e Poshtme dhe Hoxha nga Korrotica e Epërme”, përfundoi fjalën e tij, kryeministri Kurti.
Autori Afrim Hysenaj gjatë promovimit ka thënë se botimi i librit ka qenë proces më shumë se dy vjeçar. Ai ka ndarë kujtimet e bashkëpunimit me familjet që pësuan nga kjo masakër, Muçolli, Elshani, Carraku dhe Hoxha.
“Sa herë që vija këtu, sa herë që takohesha me familjarët e dëgjoja rrëfimet e tyre, obligimi kombëtar më shtrohej për ta dokumentuar gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Hysenaj.