Mbahet ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë | 25 Qer 2021 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Me një ceremoni zyrtare të mbajtur në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, sot u bë pranim-dorëzimi solemn i detyrës së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ndërmjet kryetares së deritanishme, Arta Rama – Hajrizi dhe kryetares së zgjedhur, Gresa Caka – Nimani.

Në fjalimin e saj përshëndetës, Rama – Hajrizi foli për sfidat e përballura dhe të arriturat e Gjykatës Kushtetuese gjatë dy mandateve në krye të këtij institucioni, me ç’rast përveç gjyqtarëve falënderoi edhe të gjithë stafin e Gjykatës për bashkëpunimin.

Në fund, Rama-Hajrizi shprehu bindjen se nën udhëheqjen e kryetares
Caka–Nimani, Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të shënojë suksese të reja në të ardhmen dhe do të konsolidojë edhe më tej praktikën e saj gjyqësore në harmoni me standardet evropiane të drejtësisë kushtetuese.

Pas pranimit ceremonial të detyrës, kryetarja Caka-Nimani nënvizoi rëndësinë e pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe rolit të saj përcaktues në ruajtjen e rendit e kushtetues dhe vlerave kushtetuese, balancimin dhe ndarjen e pushteteve, avancimin e sundimit të ligjit e rendit demokratik, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ajo gjithashtu vuri theks edhe në nderin dhe përgjegjësinë e saj, që në bashkëpunim me të gjithë gjyqtarët e Gjykatës dhe stafin mbështetës, të kontribuojë në konsolidimin dhe avancimin e mëtejmë të drejtësisë kushtetuese në Republikën e Kosovës.


Të ngjashme