Mbetjet spitalore vazhdojnë të groposen në varrezat e qytetit

Prishtinë | 08 Shk 2019 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Vetëm pak metra larg varrezave ku prehen trupat e pajetë të qytetarëve të Prishtinës, tash e disa vite “varrosen” një pjesë e mbetjeve spitalore. Shiringa, gjilpëra dhe mbetje tjera patologjike nga operacionet që kryhen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, vazhdojnë të groposen afër varrezave të qytetit në Dragodan, në mungesë të një ligji të posaçëm që rregullon trajtimin e këtyre mbetjeve.

Tash e disa vite punëtorët e Kompanisë “Pastrimi”, i kanë shpeshtuar vizitat për në varrezat e qytetit në Arbëri. Disa herë gjatë vitit, ata e marrin rrugën drejt këtyre varrezave, për të “varrosur” mbetjet spitalore.

Grumbulli i shiringave, gjilpërave dhe mbetjeve të tjera patologjike që mbesin nga operacionet që kryhen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, groposen vetëm pak metra larg vendit ku prehen trupat e pajetë të qytetarëve të Prishtinës.

Këtë e kanë konfirmuar edhe në kompaninë që është angazhuar në SHSKUK’ja për të kryer këtë shërbim.

Zëdhënësja e Kompanisë “Pastrimi”, Arbnorë Ademi i ka thënë Gazetës Express se groposja e mbetjeve spitalore bëhet në varrezat e qytetit.

Ademi ka deklaruar se “Pastrimi”, e bën largimin dhe groposjen e këtyre mbeturinave me kërkesë të QKUK’së.

Deklaron se i gjithë procesi kryhet nën monitorimin e inspektorëve të MMPH’së.

“Nuk ka ndonjë mënyre tjetër të asgjësimit të këtyre mbetjeve, dhe i gjithë procesi i bartjes se këtyre mbeturinave bëhet nën monitorimin e Inspeksionit të MMPH-së, në bazë të parametrave të caktuar nga ministria”, ka thënë Ademi.

Deklaron se kjo kompani e kryen këtë shërbim qe disa vite, derisa nuk ka treguar se kur është bërë groposja e fundit.

Tutje, Ademi ka thënë se është në finalizim caktimi i lokacionit nga Komuna e Prishtinës për trajtimin e këtyre mbeturinave.

“Kompania “Pastrimi”, bën largimin dhe groposjen e këtyre mbeturinave me kërkesë të QKUK-se, në bazë të nevojave të tyre  njoftojnë kompaninë dhe bëhet largimi  tyre  nën monitorim të inspeksionit. Ky shërbim bëhet tash e disa vite. Po ashtu është në finalizim caktimi i lokacionit nga Komuna e Prishtinës për trajtimin e këtyre mbeturinave”, tha Ademi për Express.

Por, jo vetëm mbetjet spitalore tw QKUK’së groposen në varrezat e qytetit.

“Kontribut” të madh për këtë japin edhe spitalet private, të cilat pa asnjë kontroll i hudhin të gjitha llojet e mbeturinave, përfshirë edhe ato infektive.

Mirëpo, hedhja në ambiente të hapura e këtyre mbeturinave të cilat sterilizohen nuk është e lejuar.

Së paku kështu deklarojnë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

 ‘’Nuk lejohet hedhja e mbeturinave te sterilizuara në ambiente të hapura, inspektimi i objekteve dhe pajisjeve në këto objekte bëhet nga Inspektorati mjedisor, ashtu siç inspektorati planifikon  me planin vjetor të punës, po ashtu sipas nevojës, apo ftesave  ata vizitojnë objektet  dhe pajisjet për sterilizim”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie.

E si zgjidhje për këtë problem po shihet shtimi i kapaciteteve . Aktualisht QKUK’ja posedon vetëm një Insenerator që sterilizon mbetjet medicinale infektuese.

Përgjegjësi për këtë Insenerator, Fadil Berisha ka thënë se kapaciteti i këtij mjeti është shumë i vogël për mbetjet e operacioneve. Derisa ka shpjeguar mënyrën se si sterilizohen mbetjet.

“Secila klinikë e bën ndarjen e tyre. I kemi pikat grumbulluese të veçanta, i mbyllim me dry dhe punëtorët i grumbullojnë dhe bëjnë bartjen dhe i bijnë këtu. Filon trajtimi i mbetjeve, 45 minuta zgjat cikli, sterilizohen ne 180 gradë në avull, dhe nuk janë më të dëmshme për ambientin dhe hudhen në kontejnerë, të cilët merren pastaj nga kompania “Pastrimi”, dhe dërgohen në deponi”, ka shpjeguar Berisha.

Ndërkohë, një sterilizator tjetër në kuadër të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës është premtuar tash e disa vite nga Ministria e Shëndetësisë.

Në këtë ministri, thonë se po punohet intensivisht që të shtohen kapacitetet infrastrukturore në kuadër të QKUK-së.

Derisa kanë thanë se Inseneratorët aktualisht janë të pranishëm në QKUK dhe në gjashtë Spitalet e Përgjithshme në gjithë Kosovën, me të cilat bëhet shkatërrimi i mbetjeve spitalore.

“Në lidhje me kërkesën konkrete të SHSKUK-së, Ministria e Shëndetësisë gjithmonë, dhe jo vetëm për këtë çështje, do të ofrojë mbështetjen e saj që Shërbimi Klinik dhe Universitar i Kosovës të shtoj kapacitetet e saj infrastrukturore, për çka ka investuar disa miliona euro vetëm vitin e fundit për modernizimin e këtij institucioni”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë.

Edhe Ministria e Mjedisit është treguar e gatshme të ndihmojë QKUK-në në këtë aspekt.

 ‘Sa i përket mbetjeve medicinale të QKUK-së ne si MMPH sipas kërkesave të Ministrisë së Shëndetësisë do të bashkëpunojmë dhe do të përkrahim këtë ministri në këtë drejtim’. Kur e kemi  planifikuar dhe projektuar hapësirën/ objektin për sterilizatorin ekzistues  e kemi paraparë  edhe një vend për sterilizatorin e dytë , ashtu që QKUK  të mund të  rrisë kapacitetet nëse është e nevojshme’’

Në këtë ministri pohojnë se ka ndotje nga mbeturinat infektive për shkak se nuk ka një vend specifik për hedhjen dhe kontrollin e tyre. Edhe ambientalistët e kundërshtojnë kategorikisht groposjen duke thënë se rrezikon jetën e qytetarëve, pasi që këto mbetje lirojnë materie të rrezikshme pas groposjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme