Mbi 100 të helmuar nga ushqimi në Han të Elezit, deklarohet kryetari i Komunës

Prishtinë | 15 Kor 2026 | 18:50 | Nga Ekonomia Online

Rritja e numrit të qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të gastroenteritit në Han të Elezit ka vënë në lëvizje institucionet shëndetësore dhe ato komunale, ndërsa autoritetet janë në pritje të rezultateve të analizave që pritet të sqarojnë shkakun e situatës.

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka bërë të ditur se nga 13 deri më 15 korrik, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare janë trajtuar gjithsej 110 persona me simptoma të gastroenteritit.

Sipas tij, vetëm pesë pacientë janë referuar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal të Ferizajt dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa pjesa tjetër kanë marrë trajtim në QKMF.

Ballazhi theksoi se gjatë kësaj periudhe janë administruar rreth 300 terapi venoze, duke siguruar se institucioni shëndetësor lokal ka kapacitete të mjaftueshme për përballimin e situatës.

“QKMF-ja ka terapi dhe materiale të mjaftueshme për trajtimin e të gjitha rasteve,” ka deklaruar ai.

Kryetari bëri të ditur se institucionet kompetente kanë marrë mostrat përkatëse, të cilat janë dërguar për analiza në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ndërsa rezultatet zyrtare pritet të sqarojnë shkakun e paraqitjes së rasteve.

“Mostrat janë marrë dhe janë dërguar në IKSHPK. Jemi në pritje të rezultateve zyrtare, të cilat do të përcaktojnë shkakun e paraqitjes së rasteve,” është shprehur Ballazhi.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos u besojnë spekulimeve apo informatave të pakonfirmuara, duke theksuar se çdo informacion i ri do të bëhet publik nga institucionet përgjegjëse.

Njëkohësisht, Ballazhi apeloi që qytetarët të respektojnë masat bazë të higjienës, të kenë kujdes të shtuar gjatë temperaturave të larta dhe, në rast të shfaqjes së simptomave, të paraqiten sa më shpejt në QKMF për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Të ngjashme