200 kompani vendore e të huaja pjesë e Panairit të Turizmit, Osmani e vlerëson pozitive për ekonominë

Prishtinë | 16 Mar 2023 | 12:16 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për tri ditë më radhë, në Prishtinë do të mbahet edicioni i dytë i Panairit Ndërkombëtar të Turizmit, organizuar nga Unioni i Turizmit të Kosovës. Në këtë panair po marrin pjesë më shumë se 200 kompani të turizmit me ofertat e tyre, raporton Ekonomia Online.

Sipas organizatorëve, qëllimi kryesor i këtij panairi është promovimi i turizmit dhe traditave kosovare.

Në hapje të këtij edicioni, ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e turizmin e konsideron si industri që hap vende të punës dhe me të ardhura të mira.

Osmani ka përmendur edhe festivalet e ndryshme që organizohen në Kosovë dhe që e sipas saj e kanë ndryshuar imazhin e Kosovës.

“Turizmi kontribuon në ngritjen e ekonomike të shtetit. Sot turizmi si industri krijon vende të shumta dhe të ardhura për qytetarët. Kultura është një aspekt thelbësor i turizmit. Turizmi kulturor kontribuon në ruajtjen e traditave dhe kulturës sonë. Ky panair ka mbledhur kompani të ndryshme, kjo është tejet fituese jo vetëm për komunat por edhe për të tjerët. Pozita gjeografike e Kosovë ia mundëson pozitën për një turizëm të mirë. Kosova nuk është më pak e bukur se vendet e tjera, në fakt ka bukuri të jashtëzakonshme vetëm ne duhet t’i mbrojmë dhe ti promovojmë. Duhet të synojmë që Kosovën ta bëjmë pjesë të paketave jo vetëm të Ballkanit por edhe të Evropës”, tha ajo.

E kryetar i Unioni i Turizmit të Kosovë, Baki Hoti, tregoi për qëllimin e këtij panairi. Tha se pjesëmarrës janë më shumë se 200 kompani vendore e ndërkombëtare.

“Kemi arrit që më në fund edhe Kosova të ketë një panairi të përmasave te tilla me mbi 200 kompani vendore e të huaja. Qëllimi kryesore është që të bëhet promovimi i turizmit, traditave tona, i vlerave tona. Mendoj që kemi bërë një punë të mirë. Mbi 200 kompani nga 10 shtete”, tha ai.

Kryetari i komunës së Prishtinës Përparim Rama, tha se do ta ketë në fokus ngritjen e kapaciteteve të turizmit.

“Jemi të nderuar që po e hapim këtë panair në Prishtinë. Qyteti ynë është i nderuar më një tubim kaq madhështor dhe shpresojmë që ky panair të shërbej që të eksploroni atë që ne e ofrojmë. Me pjesëmarrjen me mbi 200 kompani me 10 vende evropiane. Fokusi primar i panairit është promovimi i turizmit të Kosovës. Dua me përmend se fokusi primar është edhe ngritja e kapacitetit të turizmit. Kosova po përparon në këtë drejtim”, tha ai.

E ky organizim është mirëpritur edhe nga Komunat e Kosovës dhe kompanitë turistike. Sipas tyre këto organizime ndikojnë shumë në ekonominë vendëse dhe në promovimin e turizmit kosovar.

Vyrtyt Morina, udhëheqës i sektorit të turizmit në Komunën e Pejës, i cila në këtë panair prezanton destinacionet e kësaj komune, tha se përmes këtyre panaireve shfaqin ofertat për vendet e bukura të këtij qyteti.

“Çdo panair është i mirëseardhur. Ne si komunë marrim pjesë në çdo panair, është një formë e promovimit të destinacionit tonë të komunës e cila ka mjaftë potenciale turistike si ato kulturore e gjithashtu natyrore. Përmes këtyre panaireve shfaqim ofertën tonë të përgjithshme të destinacionit të Pejës”, tha ai për EO.

Ai tha se në këtë komunë dita ditës është duke u rritur numri i turistëve, e që sipas tij vetëm në vitin e kaluar e kanë vizituar këtë komunë mbi 65 mijë vizitorë.

“Peja çdo vit është duke e shtuar numrin e turistëve vizitorëve, ajo çka dua të them që është më e vlefshme është numri i netë për të fjetur, ku në Pejë kemi arrit ta mbajmë turistin deri më tri net. Për vitin 2022 i kemi pasur diku 65 mijë vizitorë, deri sa i kemi 222 mijë fjetje. Është një numër i mjaftueshëm duke e krahasuar edhe me infrastrukturën që e kemi. Ngadalë jemi duke e përmirësuar infrastrukturën dhe dalë ngadalë duke e rritur numrin e turistëve”, tha ai.

Arsim Rexhepi, nga “Balkan Destination”, operator lokal që merret me turizëm ndërkombëtar që sjellin turist të huaj në Kosovë, tha se organizimi i këtyre panaireve është shumë i rëndësishëm, pasi ndikon pozitivisht në ekonomi.

“Panairet janë shumë të rëndësishme. E para është shumë e rëndësishme që të vetëdijesohet popullata, për të parë se çfarë ofrojnë kompanitë e turizmit për t’i marr ofertat e reja. Panairi i turizmit ‘Kosova 2023’ është i rëndësishme për shumë biznese për arsye se ka shumë biznese që marrin pjesë ku ndikon edhe në ekonominë vendore”, tha ai për EO.

Ai tha se në vend çdo ditë është duke u rritur numri i turistëve të huaj.

“Çdo vit turizmi është ne ngritje e sipër, gjithmonë ka ngritje, shifra nuk mund që të japim por ka ngritje çdo vit. E rëndësishme është që ne të sjellim turist nga vendet e ndryshme të botës që ta pasqyrojmë vendin tonë dhe të japim mesazh botës që Kosovën ja vlen që të vizitohet”, tha ai.

Të ngjashme