Mbi 30 mijë ndërtime presin legalizimin në Rajonin e Dukagjinit

Prishtinë | 25 Nën 2019 | 10:50 | Nga Ekonomia Online

Në sportelin e caktuar në objektin e Administratës Komunale të Pejës, që nga fillimi i kësaj jave ka filluar dhënia e kërkesave për legalizim të ndërtimeve pa leje. Për marrjen e këtyre kërkesave është duke u treguar interesim i madh, siç tregon zyrtari në këtë sportel, Veton Agusholli.

“Nga fillimi i kësaj jave kemi nisur të japim kërkesat në të cilat janë të përshkruara të gjitha informatat se çka nevojitet për të aplikuar për legalizimin e objektit të ndërtuar pa leje. Deri sot (e premte) këto kërkesa i kanë marrë rreth 60 veta, por deri tash kanë aplikuar për legalizim të ndërtimit pa leje vetëm dy veta”, thotë Agusholli, shkruan sot “Koha Ditore”.

E gjatë dy vjetëve të ardhshëm, sa do të zgjasë kjo fazë e legalizimit me ligjin e ri, në Komunën e Pejës do të kenë mjaft punë, pasi në gjithë territorin e kësaj komune llogaritet së janë mbi 13 mijë objekte të ndërtuara pa leje para dhe pas luftës. Kaq ishte numri i qytetarëve që kishin marrë kërkesat për aplikim të legalizimit deri para vitit 2017.

Drejtori i Urbanizmit, Rajan Arapi, ka sqaruar se me ligjin e ri kostoja e legalizimit të objektit të ndërtuar pa leje do të jetë më e ulët sesa që ishte paraparë me ligjin e vjetër, kur çdo shtëpi mbi 100 metra katrorë duhej ta kishte edhe projektin e shtëpisë së ndërtuar.

“Aspekti i kostos është më i lirë prej herës së kaluar me ligjin e vjetër të legalizimit. Tash shtëpitë deri në 450 metra katrorë paguajnë vetëm taksën 1 euro për metër katrorë për legalizimin e objektit. Kurse për shtëpitë mbi 450 metra katrorë dhe objektet e tjera që nuk janë shtëpi, duhet të paguajnë taksë nga 2 euro për metër katrorë dhe njëkohësisht obligohen të kenë edhe projektin e objektit dhe pëlqimet e ndërmarrjeve shërbyese publike si KEDS-i, Hidrodrini… për shkak të sigurisë se janë objekte më të mëdha”, tha Arapi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme