MBPZHR-ja reagon ndaj deklaratave të kryetarit të VV-së, Albin Kurti

Prishtinë | 24 Pri 2019 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, reagon ndaj deklaratës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili gjatë ditës së djeshme në një tubim me qytetarët e Komunës së Klinës kishte hedh akuza ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të MBPZHR-së, Kapllan Halimi dhe Kreyeshefit Ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Ekrem Gjokaj, në të cilën deklaratë kishte shumë pasaktësi dhe të pavërteta, duke keqinformuar kështu publikun e gjerë me akuza ndaj dy zyrtarëve të MBPZHR-së dhe AZHB-së.

Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve, MBPZHR-ja sqaron se mbështetjen e sektorit të bujqësisë e realizon në kuadër të dy programeve, programit për Zhvillim Rural dhe Programit për Pagesa Direkte-subvencione, të cilat hartohen duke u bazuar në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 03/L-098, si dhe Plotësim Ndryshimit të Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 04/L-090 dhe udhëzimeve administrative.

I gjithë procesi për mbështetjen e fermerëve në kuadër të këtyre programeve, që nga shpalljet e thirrjeve, si dhe vlerësimi i të gjitha aplikacioneve për grante dhe subvencione bëhet bazuar në dokumentacionin, procedurat dhe kriteret e parapara me program, të cilat çdo vit publikohen në faqen e ministrisë dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).  Po ashtu, AZHB-ja bën informimin e fermerëve përmes sms-ve dhe vendimeve me e-mail, si dhe përmes ueb-faqes së AZHB-së për rezultatet lidhur me procesin.

Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve, MBPZHR-ja njofton se viteve të fundit ka rënë edhe numri i ankesave të fermerëve  të aderesuara në MBPZHR dhe AZHB lidhur me procesin e përfitimit të subvencioneve. Në vitin 2017 ishin ankuar gjithsej 318 fermerë, ndërkaq në vitin 2018 janë ankuar gjithsej 186 fermerë.

Po ashtu sqarojmë opinionin publik se MBPZHR-ja është e hapur gjatë gjithë kohës në shërbim të fermerëve dhe palëve tjera me interes duke përfshirë edhe shoqërinë civile, ku kjo është dëshmuar edhe vitin e kaluar ku fillimin e procesit të vlerësimit të aplikacioneve të granteve, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë e ka bërë live para mediave dhe shoqërisë civile, gjë që nuk është bërë më parë.

Krahas kësaj, të gjitha listat e përfituese të subvencioneve dhe granteve investive çdo vit bëhen publike në web faqen e ministrisë dhe AZHB-së, në të cilat lista kanë qasje të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

MBPZHR-ja mbetet e përkushtuar për rritjen e transparencës me qëllim të informimit të publikut dhe si Ministri e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i bëjmë thirrje z.Kurti por edhe fermerëve dhe qytetarëve të tjerë se nëse kanë ndonjë pakënaqësi ose hasin në parregullësi t’u drejtohen organeve të drejtësisë në Republikën e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme