Mbrojtja e Pjetër Shalës thotë se dëshmitarët do tregojnë se nuk e kanë parë atë në Kukës, ZPS kundërshton

Prishtinë | 24 Gus 2023 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Gjatë konferencës përgatitore për mbrojtjen në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në rastin e Pjetër Shalës, mbrojtja e këtij të fundit ka thënë se dëshmitarët e thirrur do të tregojnë se nuk e kanë parë atë në Kukës, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka kundërshtuar dëshmitë e tyre.

Avokati mbrojtës, Mohamed Hedi-Aouini tha se se po sjellin njerëz që thonë se Shala nuk ka qenë pjesë e Brigadës 128, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E kemi thënë se Shala është akuzuar se ishte pjesë e Brigadës 128, po sjellim njerëz që thonë se Shala nuk ka qenë pjesë e Brigadës 128 dhe nuk e kanë parë Shalën aty, dhe që të ketë pas ndonjë rol atje, kjo është arsyeja pse po sjellim persona nga Brigada”, tha ai.

Tutje, ai tha se Shala nuk ka pasur vend në atë fabrikë dhe se duan të tregojnë se ka ekzistuar ky informim kur është përpiluar aktakuza, nga ana e ZPS-së, pasi sipas tij ka dëshmitarë që janë intervistuar edhe nga ZPS-ja.

Ndër të tjera, Aouini ai tha se dëshmitari 17-të thotë se nuk është pyetur fare për Shalën.

Ai po ashtu tha se është një dëshmitar që ka qenë pjesë e Brigadës 128 por që nuk e ka parë të akuzuarin në Kukës, si dhe ka të tjerë që e kanë thënë të njëjtën gjë, por që shtoi se informacionet i kanë që të njëjtit kanë qenë në atë fabrikë kur ka filluar mobilizimi dhe më tej, duke shtuar se besojnë se është saktësisht në periudhën e aktakuzës.

Nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, janë kundërshtuar dëshmitë e disa dëshmitarëve.

Prokurori Filippo De Minicis tha se dëshmitari 4454 nuk ka qenë në fabrikën e metalit në kohën e aktakuzës dhe se e hedhin poshtë rëndësinë e tij pa dokumente tjera përcjellëse.

Për dëshmitarin DW402, tha se ka qenë në pikën 1 dhe jo në fabrikën e metalit në Kukës, andaj është e pavlerë dëshmia e tij. Kurse, për dëshmitarin DW404 tha se nuk kanë informacion se kur ka qenë në Kukës dhe ku, njashtu për DW406, duke kërkuar të dihet vendndodhja e tij e saktë.

Kundërshtimet për tre dëshmitarë të tjerë si dhe për tre ndërkombëtarët, kanë qenë me përmbajte të redaktuar.

Paraprakisht, avokati Aouini ka thënë se gjatë kësaj periudhe do të tentojnë të takohen me katër dëshmitarë, por që këta hapa përfundimtar të hetimit nuk do çojnë në vonesa në procesin gjyqësor.

Ai tha se do tentojnë të takohen me dëshmitarët 4405, 4754, DW405 dhe DW404, si dhe shtoi se ekspertët do të japin dëshmi në fund fare të të gjithë dëshmive të mbrojtjes.

Tutje, nga ana e mbrojtjes u konfirmua se janë nxjerrë të gjitha materialet që ata synojnë t’i paraqesin para trupit gjykues, përfshirë inspektimin e objekteve të prekshme.

Ndërkaq, ekipi mbrojtës i Shalës ka diskutuar edhe për frikën dhe hezitimin e dëshmitarëve për të bashkëpunuar me ta, si dhe vështirësitë që kanë dhe vazhdojnë të hasin për t’u takuar me ta, duke sqaruar se shpesh ata pranojnë dhe më pas refuzojnë të flasin me mbrojtjen.

Të pyetur nëse kanë informacione të tjera të disponueshme që kanë vlerë provuese që nuk janë pasqyruar në përmbledhje, avokati Aouini tha se do të tentojë të shikojnë edhe njëherë dhe të paraqesin informacionin shtesë, për çka u urdhëruar t’i dorëzojnë të njëjtat gjatë ditës së sotme.

Më tej, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Mappie Veldt-Foglia ka kërkuar që ekipi mbrojtës t’i shfrytëzojë ditët e seancave duke kërkuar që të sigurojnë dëshmitarë edhe për datat 18-19 shtator dhe jo siç kanë paralajmëruar se do fillojnë me dëshmitarë më 20 shtator.

Për këtë, ekipi mbrojtës tha se do të tentojnë, por që sërish treguan se kanë vështirësi të ndryshme, përfshirë edhe probleme me viza dhe pasaporta.

Konferenca do të vazhdojë pas një pushimi të shkurtë.

Të ngjashme