Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se segmenti rrugor Brezovicë-Prevallë (R115) do të mbyllet përkohësisht sot dhe neserër, për shkak të zhvillimit të Garës Automobilistike Malore “Brezovica 2026”.
Sipas njoftimit të tyre, kufizimi i qarkullimit do të jetë në fuqi më 18 dhe 19 korrik 2026, nga ora 10:30 deri në 18:00.
Përndryshe, sot do të zhvillohen stërvitjet zyrtare, ndërsa nesër gara zyrtare, e organizuar nga Federata e Auto Sporteve të Kosovës.
“Për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe sigurinë e pjesëmarrësve, organizatorët do të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse. Lusim qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në trafik që gjatë këtyre intervaleve kohore të planifikojnë lëvizjet e tyre, të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të angazhuar në terren”, u tha dje në komunikatën për media.