Mehmeti takohet me drejtues të Agjencionit Mbikëqyrës dhe Rregullativ Bankar të Turqisë

Prishtinë | 25 Maj 2022 | 18:28 | Nga Ekonomia Online

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, gjatë vizitës në Stamboll të Turqisë ka takuar Udhëheqësin e Agjencionit Mbikëqyrës dhe Rregullativ Bankar të Turqisë, Mehmet Ali Akben.

Bëhet e ditur se Mehmeti ka informuar Akben lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin financiar, i cili vazhdon të jetë likuid dhe stabil, si dhe angazhimin e BQK-së për zhvillimin e mëtejmë të sektorit bankar dhe ekonomisë së vendit.

Gjithashtu, e njoftoi edhe lidhur me gjendjen e bankave me kapital turk, të cilat operojnë në sektorin bankar të Kosovës.

Guvernatori falënderoi Akben për përkrahjen dhe bashkëpunimin e deritashëm, si dhe shprehu gatishmërinë dhe kërkesën për vazhdim të bashkëpunimit në fushën e trajnimit dhe zhvillimit të mëtejmë të stafit të BQK-së, pjesëmarrjen në kolegjet mbikëqyrëse dhe kryerjes së ekzaminimeve të përbashkëta.

Nga ana tjetër, Udhëheqësi i Agjencionit Mbikëqyrës dhe Rregullativ Bankar të Turqisë, Mehmet Ali Akben, vlerësoi të arriturat e deritashme të sistemit financiar të Kosovës dhe angazhimin e BQK-së për avancimin e sistemit financiar, si dhe shprehu përkushtimin për angazhim në avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes të dyja institucioneve.

Të ngjashme