Meliza Haradinaj: Duhet të pezullohet kjo marrëveshje me Serbinë

Prishtinë | 07 Jan 2023 | 10:49 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj, thotë se Serbia ka arritur me sukses që të shkatërrojë të gjithë punën dhe përpjekjet që janë bërë për pajtim dhe integrim ndëretnik që Kosova ka bërë që nga paslufta.

Ajo shkruan se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë si EULEX-i dhe KFOR-i s’duhet të lejojnë që Serbia të shkatërrojë këto përpjekje dhe rezultate edhe në jug ku bashkëjetesa ndëretnike është shembullore.

 “Serbia arriti suksesshëm (ndonëse uroj që vetëm përkohësisht) të shkatërrojë gjithë punën e përpjekjet për pajtim e integrim ndëretnik që Kosova ka bërë pas luftës sidomos në komunat e saj në veri.

Qeveria e Policia e Kosovës, EULEXi, dhe KFORi NUK duhet t‘i lejojnë Serbisë që të shkatërrojë këto përpjekje e rezultate edhe në komunat në jug, ku bashkëjetesa ndëretnike është shembullore”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Për këtë ajo ka propozuar që të rritet niveli i sigurisë në komunat shumë-etnike ku incidentet që ajo i quan të orkestruara mund të eskalojnë.

Gjithashtu thotë se duhet të ngritët siguria në kufijtë e Kosovës dhe sipas saj duhet të pezullohet marrëveshja e Brukselit për vizita zyrtare.

Ish-kreydiplomatja thotë se këtë marrëveshje po e shfrytëzojnë vartësit e Vuçiqit për të ardhur në Kosovë dhe për të nxitur urrjetje ndër-etnike gjë të cilën Kosova nuk e bën asnjëherë

“ Të ngritet niveli i sigurisë në komunat shumë-etnike ku ‘incidentet e orkestruara’ mund të agravojnë edhe më tej gjendjen e sigurisë;

– Të ngritet siguria dhe vigjilenca në gjithë kufijtë e Kosovës;

– Të pezullohet (përkohësisht) Marrëveshja e Brukselit për shkëmbimin e vizitave, përmes së cilës vartësve të Vuçiqit u mundësohet të vijnë në shtetin sovran të Kosovës për të nxitur urrejtje ndëretnike, për të inskenuar incidente artificiale, e për të kërcënuar serbët që mirë-integrohen në shtetin e Kosovës! Kosova shumë pak e përdorë këtë marrëveshje, dhe asnjëherë për qëllime destabilizimi në Serbi”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Të ngjashme