Merz: Zviceranët punojnë 200 orë më shumë se gjermanët

Prishtinë | 21 Kor 2026 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Deklarata e Merzit për orët e punës në Zvicër vihet në pikëpyetje

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se zviceranët punojnë rreth 200 orë më shumë në vit se gjermanët, duke e përdorur Zvicrën si shembull në debatin për produktivitetin dhe kulturën e punës në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, një analizë faktike e transmetuesit gjerman ZDF tregon se ky krahasim është vetëm pjesërisht i saktë. Diferenca prej 200 orësh vlen kryesisht kur krahasohen vetëm punonjësit me orar të plotë.

Sipas të dhënave të statistikave zyrtare, një punonjës me kohë të plotë në Zvicër punon mesatarisht 42,5 orë në javë, ndërsa në Gjermani 38,4 orë. Kjo sjell një diferencë prej rreth 200 orësh në vit.

Por, kur në llogaritje përfshihen edhe punonjësit me kohë të pjesshme dhe pensionistët, diferenca zvogëlohet ndjeshëm. Mesatarisht, një person në Zvicër punon rreth 35,2 orë në javë, ndërsa një person në Gjermani rreth 34,3 orë – pra më pak se 50 orë diferencë në vit.

Ekspertët ekonomikë paralajmërojnë gjithashtu se orët më të gjata të punës nuk garantojnë automatikisht rritje të produktivitetit. Sipas ekonomisteve, faktorë si inovacioni, investimet, teknologjia dhe organizimi i punës luajnë rol shumë më të madh në performancën ekonomike të një vendi.

Debati për orarin e punës është rikthyer në Gjermani, ku Merz ka kritikuar më herët nivelin e produktivitetit dhe ka kërkuar më shumë angazhim në tregun e punës. Por krahasimi me Zvicrën, sipas analizave, nuk paraqet një pamje të plotë të realitetit.

Të ngjashme