Meta uron 7 marsin, dhuron 50 libra për shkollën e Prekazit

Prishtinë | 07 Mar 2023 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, me rastin e 7 Marsit, ditës së mësuesit ka dërguar pesëdhjetë libra dhuratë për bibliotekën e shkollës “Azem Bejta” të Prekazit.

Meta, mes tjerash, kujtoi edhe 25-vjetorin e rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari.

“Me një kartolinë urimesh dërgova pesëdhjetë libra dhuratë për bibliotekën e shkollës “Azem Bejta” të Prekazit. Gëzuar të gjithë nxënësve dhe mësuesve për 7 Marsin, ditën e Arsimit Shqip, “Ditën e Mësuesit”! Detyra e nxënësve është e përditshme, të mësoni e të lexoni. Ndërsa detyra jonë si politikanë është t’i përkrahim mësuesit e nxënësit shqiptarë kudo që ata ndodhen, në trojet e tyre historike dhe në diasporë”.

“Kjo ditë këtë vit shënon edhe 25-vjetorin e rënies së Adem Jasharit, kryesimbolit të përpjekjes shqiptare për liri e dinjitet. Lavdi e përjetshme heroizmit të Jasharëve”, ka shkruar Meta në Facebook.

Të ngjashme