“Metallica” publikon libër për fëmijët

Prishtinë | 17 Kor 2019 | 08:16 | Nga Ekonomia Online

Bendi heavy metal amerikan “Metallica”, i njohur për rivalitetin me bendet e tjera, abuzimin e substancave të ndryshme, por edhe për hitet muzikore si Nothing Else Matters, Enter Sandman dhe Unforgiven, do ta përjetësojë veprimtarinë e vet në librin e ilustruar për fëmijë të titulluar ‘The ABCs of Metallica’.

Libri i një prej bendeve më të suksesshme komerciale do të publikohet më 26 nëntor, ndërsa të gjitha të ardhurat do të shkojnë në dobi të fondacionit të bamirësisë ‘All Within My Hands’, shkruan Guardian.

Anëtarët e bendit e shkruan atë në bashkëpunim me autoren Howie Abrams. Ilustrimet janë bërë nga artisti Michael ‘Kaves’ McLeer.

‘Me vargjet dhe ilustrimet në librin ‘ABCs of Metallica’ bendi flet për historinë e vet nga A deri në ZH. Çdo shkronjë e alfabetit e përshkruan fazën e udhëtimit tonë nga ‘Garage Days’ deri tek ‘Master of Puppets’ si dhe faktet e tjera zbavitëse rreth nesh,” thuhet në faqet e internetit të bendit.

Albumi i tyre i fundit, i dhjeti me radhë në karrierën 38-vjeçare i titulluar ‘Hardwired… to Self-Destruct’ në vitin 2016, në mbarë botën u shit në pesë milionë kopje dhe ishte i nominuar për çmimin Grammy.

“Metallica” kohët e fundit i mbajti dy koncerte në stadiumin e Britanisë së Madhe, ndërsa mediat britanike e përshkruan atë si ‘dy orë e gjysmë mësim të mjeshtërisë së muzikës metal’, shkruan KOHA Ditore.

Si pjesë e turneut botëror, bendi në ditët dhe muajt e ardhshëm do të mbajë koncerte në të gjithë Evropën dhe botën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme