Miftaraj: Publikimi i aktakuzave mund të komprometojë të gjithë rastin

Prishtinë | 25 Qer 2020 | 17:28 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së djeshme, Zyra e Prokurorit të Specializuar bëri publike aktakuzat për Presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së njëherësh deputetin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Por publikimi i këtyre aktakuzave ngriti një sërë pikëpyetjesh se a duhej apo jo të bëheshin publike.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj në një prononcim për “Gazeta Blic” sqaron se në cilin rast ato mund të publikohen.

Miftaraj thotë se publikimi i tyre mund të ndodhë vetëm në momentin që është bërë në përputhje me lejen e Gjykatës në të kundërt prokurori i rastit me apo pa qëllim ka kompromentuar të gjithë procesin.

“Prokuroria në bazë të ligjit mbi dhomat e specializuara dhe rregullave të brendshme ka për obligim që të ruaj integritetin e procesit gjatë fazës së hetimeve, ngritjes së aktakuzës dhe përfaqësimit në gjykatë. Në këtë drejtim, nëse publikimi i të dhënave lidhur me emrat e akuzuar në aktakuzë është bërë për të siguruar një hetim të pavarur, paanshëm dhe të drejtë dhe ky publikim është bërë në pajtim dhe me njoftimin e gjykatës mund të arsyetohet. Nëse ky njoftim është bërë pa lejen dhe njoftimin e gjykatës, atëherë prokurori i rastit me qëllim apo pa qëllim ka kompromentuar tërë rastin duke vënë në medyshje pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatës”

Sa i përket dorëheqjes së Presidentit , Miftaraj shpjegon se ai nuk është i detyruar me ligj ta bëjë një gjë të tillë.

“Edhe pse në kushtetuese dhe ligjore Presidenti i Republikës nuk ka pasoja juridike dhe nuk është i obliguar të dorëhiqet në aspektin moral dhe etik, dhe me qëllim të ruajtjes së integritetit dhe kredibilitetit të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës dorëheqja si akt moral do ishte vendimi më i duhur.”

Pas aktakuzës së ngritur nga Gjykata Speciale, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti anuluan udhëtimin e tyre për në Uashington  të paraparë për datën 27 qershor.

Gjatë ditës së sotme ishte emisari i presidentit Trump, Richard Grenell që konfirmoi anulimin e këtij takimi dhe bëri të ditur se do të caktojnë një datë tjetër.

Të ngjashme