Ministrat Latifi e Koca diskutojnë për bashkëpunimin Kosovë-Turqi në shëndetësi

Ankara | 23 Mar 2022 | 09:59 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Dr. Rifat Latifi u prit në Ankara nga homologu i tij nga Turqia, ministri Fahrettin Koca, ku temë diskutimi ishte vazhdimi i bashkëpunimit mes dy shteteve në sektorin e shëndetësisë.

Në këtë takim, ministri Latifi, shprehu konsideratën e lartë për homologun e tij dhe shtetin e Turqisë, për të gjitha projektet, ndihmën dhe angazhimin e vazhdueshëm për të përkrahur shëndetësinë e Kosovës.

Ministri Latifi, gjatë diskutimeve me ministrin Koca, e informoi atë për shtatë shtyllat e transformimit të shëndetësisë së Kosovës, duke shprehur optimizmin për ndryshim rrënjësor të sistemit me prioritet gjithmonë pacientin.

Po ashtu, theks të veçantë në këtë takim iu dha çështjes së shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy shteteve në dixhitalizimin e shërbimeve shëndetësore, në fuqizimin dhe avancimin e kapaciteteve njerëzore të specializuara si dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe modernizimin e spitaleve të Kosovës.

Të dy ministrat, në këtë takim u pajtuan për formimin e një grupi punues, me ekspertë nga Kosova dhe Turqia, të cilët do të bashkëpunojnë ngushtë për konkretizimin dhe jetësimin e bashkëpunimit në projekte të ndryshme shëndetësore.

Ministri Latifi e ftoj homologun e tij turk, që ta vizitoj Kosovën, në mënyrë që të thellohet edhe më tej bashkëpunimi mes dy vendeve.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Turqisë, Fahrettin Koca, e siguroj ministrin Latifi se shteti turk do ta ndihmojë sistemin shëndetësor të Kosovës në proceset e transformimit.

Sa u përket shtatë shtyllave të cilat ministri Latifi i përmendi në këtë takim, ministri Koca, shprehu mbështetjen e tij të pa rezervë aty ku është nevoja që shteti turk mundë të ndihmojë.

Po ashtu, ai tha se më shumë kënaqësi e pranon ftesën e Ministrit Latifi për ta vizituar Kosovën dhe premtoi se shumë shpejtë do ta realizojë një vizitë të tillë.

Të ngjashme