Ministri Gashi lavdëron policët që u angazhuan për mbarëvajtjen e vizitës së Vuçiqit

Prishtinë | 09 Sht 2018 | 16:39 | Nga

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka përgëzuar zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët me punë dhe përkushtim po garantojnë një ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Më 8 dhe 9 Shtator 2018, me lejen e institucioneve të Republikës së Kosovës, një delegacion nga Republika e Serbisë i udhëhequr nga Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, ka qenë në vizitë dy ditore në Republikën e Kosovës.

Në këtë rast Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet në përputhje të plotë me kushtetutën dhe ligjet në fuqi, për të ofruar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e shtetit të Kosovës. Në këtë mënyrë, Policia e Kosovës sërish ka konfirmuar përkushtimin në punë si dhe nivelin e lartë të profesionalizmit, që e bën këtë institucion të dallohet në rajon dhe më gjerë.

Ministri Gashi vlerëson lartë profesionalizmin e treguar nga të gjithë zyrtarët policor dhe veçanërisht nga udhëheqësit e Policisë së Kosovës në krye me drejtorin e përgjithshëm të emëruar së fundi z. Rashit Qalaj.

Ministri Gashi vlerësoi po ashtu faktin që Policia e Kosovës punon pa dallime etnike e politike, duke dëshmuar kështu profesionalizmin dhe përkushtimin në punë.

“Misioni i Policisë së Kosovës është garantimi i zbatimit të ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase. Në përmbushjen e këtij misioni, Policia e Kosovës do ta ketë përkrahjen time të plotë, si Ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha ministri Gashi.

Të ngjashme