MINT hap thirrjet për bizneset, 40 kompani përfituese me 1 milion euro

Prishtinë | 01 Qer 2026 | 11:06 | Nga Artiona Çitaku

MINT dhe KIESA kanë prezantuar format e aplikimit për skemat mbështetëse për bizneset, derisa kanë bërë të ditur se gjatë viteve 2022-2025 janë mbështetur dhjetëra biznese përmes programeve për prodhim, përpunim, dixhitalizim dhe inovacion, raporton Ekonomia Online.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari Lila, tha se tri thirrje për bizneset tashmë janë të hapura, ndërsa një tjetër për industrinë prodhuese pritet të lansohet përmes platformës e-Kosova.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në planin e vet të punës, për këtë vit edhe për vitet në vijim, e ka mbështetjen e drejtpërdrejtë të bizneseve përmes skemave që tash e disa vite janë në funksion. Kjo skemë është lansuar dhe është promovuar javën e kaluar, ndërsa, tashmë, tri prej këtyre thirrjeve janë të hapura në kuadër të Ministrisë, ndërsa e katërta, ajo më e madhja për makineri të përpunuara apo për industri prodhuese është në proces të lansimit përmes skemës apo sistemit të Ministrisë së Administrimit të Dixhitalizimit apo asaj të Agjencisë Shtetërore përmes e-Kosovës. Mënyra dhe forma në të cilën ne synojmë që të krijojmë këtë praktikë të ofrimit të mbështetjes për bizneset është që të jetë sa më transparente, e hapur dhe natyrisht që në këtë rrugëtim tonin bashkë të marrim sa më tepër informacion kthesë që të dimë se cilat janë hapësirat dhe mundësitë tona për të përmirësuar ndihmën dhe asistencën e drejtpërdrejtë për bizneset kosovare. Më lejoni vetëm shkurtimisht që t’ju tregoj se çfarë është bërë nga Ministria në vitin 2025, apo vitin që lamë pas, dhe pastaj se cilat janë planet tona për vitet pasuese”, tha ajo.

Kusari Lila tha se gjatë periudhës 2022-2025, MINT dhe KIESA kanë zhvilluar instrumente mbështetëse për bizneset, ndërsa përmes projektit për fuqizim dixhital kanë përfituar 124 biznese.

“Në fakt, gjatë një periudhe katërvjeçare 2022-2025, MINT-i dhe Agjencia për Ndërmarrësi, KIESA, kanë zhvilluar instrumentet mbështetëse për bizneset duke përfshirë skemat për prodhim, përpunim, dixhitalizim, inovacion, certifikim të produkteve dhe fuqizim të grave ndërmarrëse. Në këtë periudhë ka filluar dhe zbatimi i projektit “Iniciativa për fuqizim dixhital” në bashkëpunim me Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA). Ky projekt është shndërruar në një program të rëndësishëm për transformimin dixhital të bizneseve përmes të cilit kanë përfituar 124 biznese me një buxhet prej 5 milionë euro”, tha ajo.

Ajo shtoi se gjatë vitit 2026 planifikohet mbështetja e 40 bizneseve në vlerë prej 1 milion euro përmes skemës për energji të pastër dhe transformim të gjelbër industrial.

“Viti 2026, KIESA dhe Ministria që drejtoj po vazhdojnë zbatimin e programeve të reja strategjike me fokus në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, transformimin e gjelbër, fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe përkrahjen e sektorëve me potencial të lartë zhvillimor. Në kuadër të skemës që tashmë ka kaluar një fazë, fazën e parë, dhe po përgatitet për fazën e dytë, skema për energji të pastër, janë përzgjedhur nëntë kompani përfituese me qëllim të promovimit të investimeve të gjelbërta, të rritjes së efikasitetit energjetik dhe avancimit të qëndrueshëm mjedisor në sektorin privat. Dhe aktualisht jemi në fazën e përgatitjes së fazës së dytë që në total të dy fazat planifikohet të mbështeten 40 biznese në vlerë prej 1 milion euro. Transformimin e gjelbër industrial e shohim të një rëndësie të veçantë për arsye se, përveç zhvillimit të industrisë, kriteret të cilat kanë të bëjnë me ruajtjen e mjedisit dhe me industrinë e gjelbër janë kritere që nuk përfiton vetëm shteti dhe natyrisht mjedisi, por gjithashtu edhe bizneset për shkak se shumë shpejt në kuadër të vlerësimit të ngarkesës tatimore që bizneset e kanë ose mund ta kenë në rastin e eksportit do të jetë edhe taksa CBAM apo taksa e cila llogarit emetimin e CO2-shit për secilin produkt të prodhuar”, tha Kusari Lila.

Të ngjashme