Qeveria në detyrë ka miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, “Termokosit” dhe Bankës Evropiane për Investime, për Projektin e Zgjerimit të Sistemit të Ngrohjes Qendrore në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se bëhet fjalë për një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në sektorin e energjisë, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
“I nderuari kabinet qeveritar, zgjerimi i sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në sektorin e energjisë. Me këtë nismë hapim rrugën për lidhjen e marrëveshjes së grantit midis Republikës së Kosovës, Termokosit dhe Bankës Evropiane për Investime, duke siguruar mbështetje financiare për realizimin e këtij projekti me ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë dhe mirëqenien e jetës së qytetarëve”, tha Kurti.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se marrëveshja parasheh një grant në vlerë prej 17.2 milionë eurosh për financimin e zgjerimit të rrjetit të ngrohjes qendrore drejt zonave dhe konsumatorëve të rinj
“Marrëveshja parashikon marrjen e një granti në vlerë prej 17.2 milionë euro për financimin e këtij projekti, i cili synon zgjerimin e sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë përmes pra zgjerimit të rrjetit drejt zonave dhe konsumatorëve të rinj. Projekti pritet të përmirësojë cilësinë dhe sigurinë e furnizimit me ngrohje, të zgjerojë mbulueshmërinë e rrjetit për mbi 50% të kërkesës për ngrohje në Prishtinë, si dhe do të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit përmes reduktimit të përdorimit të energjisë elektrike dhe lëndëve të tjera djegëse për ngrohje”, tha Murati.
