Mjekët e Kardiologjisë u dërgojnë letër krerëve të shtetit, kanë një kërkesë të rëndësishme

Prishtinë | 16 Pri 2022 | 10:34 | Nga Ekonomia Online

Mjekët e Klinikës së Kardiologjisë në QKUK i kanë dërguar letër të hapur presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe mediave, me kërkesën për shfuqizimin e plotësim-ndryshimit të statutit të ShSKUK-së.

Sipas tyre, ky plotësim-ndryshim po iu shkakton dëm të madh dhe është shkelje ligjore e lirive dhe të drejtave të njeriut.

“Ne Kardiologët invaziv, në mënyrë unanime e kundërshtojmë plotësim-ndryshimin e statutit të ShSKUK–së, ku me datë: 08.04.2022, jemi informuar nga mediat se ministri Rifat Latifi ka nënshkruar propozim-ndryshimin e projekt statutit në mënyrë arbitrare, pa u konsultuar fare me mjekët e repartit të kardiologjisë invazive” thuhet në letrën e mjekëve të Klinikës.

Ata deklarojnë se për muaj me radhë mjekët kanë kërkuar takim me ministrin Latifi, për te adresuar shqetësimet e tyre, por që ai nuk ka pranuar.

Mjekët argumentojnë se një vendim i tillë prish hierarkinë profesionale në repart dhe paraqet rrezik të lartë ndaj shëndetit publik, si dhe pasiguri në procedura e intervenime invazive.

Mjekët kanë kërkuar themelimin e Institutit të Sëmundjeve Kardiovaskulare, me arsyetimin se një gjë e tillë i duhet vendit, sidomos pasi njësia e Kardiologjisë në QKUK, me punën e saj, i ka kursyer vendit mbi 60 milionë euro që nga viti 2016.

“Andaj kërkojmë që ky plotësim ndryshim, tashmë i nënshkruar nga ana e minstrit të Shëndetësisë, të anulohet nga ana e kryeministrit dhe t’i hapet rrugë fillimit të themelimit të Insitutit të Sëmundjeve të Zemrës, apo edhe të mbetemi si klinika të ndara, deri në një mundësi tjetër, gjithëherë në bashkëpunim duke respektuar puntorët e secilës klinik dhe njësi” thuhet në letër.

Mjekët e kësaj Klinike paraprakisht i kishin dërguar letër të veçantë edhe kryeministrit Kurti.

Ata dje iu adresuan Kurtit me shqetësimin se vendimi për kthimin e Klinikës së Kardiologjisë Invasive dhe ndarjen e Kardiokirurgjisë, ishte marrë pa u pyetur fare palët e treta.

“Tendenca e shuarjes së kësaj klinike përmes një projekt statuti që nuk përmban asnjë ndryshim apo plotësim tjetër, përveç kësaj pike, tregon qartë një tendencë dhe nguti për të realizuar një qëllim të ngutshëm të një grupi të caktuar, në vend se të paraqitej një projekt i mirë menduar, i analizuar dhe i hartuar në bashkëpunim me akterët dhe i cili projekt, mbron interesat e qytetarëve/pacientëve, dhe që do të parashihte avancimin e këtij shërbimi. Nuk e kemi të qartë se, si tentohet të prishet një njësi që është dëshmuar me shumë rezultate” thuhet në letrën e dërguar dje tek kryeministri.

Të ngjashme