Mjekët specialistë protestojnë para Kuvendit

Prishtinë | 02 Maj 2017 | 11:29 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Disa mjekë specialistë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë protestuar sot para Kuvendit të Kosovës të cilët po kërkojnë që konkursi për 220 vende pune të mos anulohet, raporton Ekonomia Online.

Inspektorati i Punës ka vendosur që të anulojë konkursin për shkak se e ka shpallur Ministria e Shëndetësisë, e sipas tyre, këtë është dashur ta bëjë ShSKUK-ja.

Ata kanë shkuar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës me shpresë që të takojnë kryeparlamentarin Kadri Veseli për t’ia adresuar kërkesat e tyre dhe për t’i thënë që ai konkurs lë më shumë se 220 persona të papunë.

Përfaqësuesi i këtyre specialistëve, Arben Ademi i cili është kirurg i përgjithshëm ka fajësuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Inspektoratin e Punës për gjendjen në të cilën ndodhen ata.

“I bëjmë apel Ministrisë së Shëndetësisë, Inspektoratit të Punës dhe ShSKUK-së që t’i lënë inatet politike dhe inatet e tyre, por thjeshtë të procedojnë përpara çështjen e konkursit tonë dhe të mos e anulojnë për arsye, sepse janë në pyetje 220 persona”, ka thënë Ademi për Ekonomia Online.

Ai ka treguar se ka disa vite që ai së bashku me kolegët e tij presin punësimin në institucione publike.

“Kemi protestuar disa herë këtu para Kuvendit, para institucioneve të tjera relevante, por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë Ademi.

Këta specialistë theksuan se asnjëherë deri më tash nuk janë takuar me kryetarin e Kuvendit apo edhe me ministrin, Imet Rrahmani.

Të ngjashme